Ilir Poroshtica zyrtarizohet kandidat i GUXO-s për kryetar të Gjilanit

Partia GUXO ka zyrtarizuar kandidaturën e arkitektit të njohur Ilir Poroshtica për Kryetar të Komunës së Gjilanit, transmeton KosovaPost.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e partisë, Donika Gërvalla, përmes një postimi publik.

“Arkitekti i njohur, qytetari shembullor dhe njeriu i mirë dhe punëtor i këtij vendi, Ilir Poroshtica, do të jetë kandidat për Kryetar të Gjilanit nga Partia GUXO,” ka shkruar Gërvalla, duke e cilësuar kandidaturën si një hap serioz drejt zhvillimit të komunës.

Sipas saj, Poroshtica po hyn në këtë garë me “vendosmërinë dhe sigurinë, por edhe me modestinë e një profesionisti kulminant”, duke theksuar se “fituesit e vërtetë do të jenë qytetarët e Gjilanit”.

Ilir Poroshtica është i njohur në Gjilan si arkitekt dhe sipërmarrës i suksesshëm, me projekte të shumta në sektorin privat.

“Si një menaxher i shkëlqyer, këtë përvojë dhe sukses ai dëshiron ta sjellë edhe në sektorin publik”, tha Gërvalla, duke shtuar se për këtë i duhet besimi i qytetarëve të mrekullueshëm të Gjilanit/

Ajo theksoi gjithashtu se një nga synimet kryesore të ekipit të Poroshticës do të jetë “tërheqja e personaliteteve me përvojë në administratë dhe profesionistëve të fushave të ndryshme”.

“Gjilanit i duhet një ekip i tillë dhe një frymë e tillë. Dhe kjo frymë po vjen me Ilirin”, ka shkruar Gërvalla.

The post Ilir Poroshtica zyrtarizohet kandidat i GUXO-s për kryetar të Gjilanit appeared first on Kosovapost.net.