Sveçla pas ndalimit të Popoviqit: Nuk tolerojmë fyerje ndaj UÇK-së

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas deklaratave të zyrtarit serb Igor Popoviq, i cili gjatë një fjalimi në Rahovec e cilësoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste, transmeton KosovaPost.

Sveçla bëri me dije se Popoviqi “është ndaluar në pikën kufitare të Bërnjakut dhe më pas është dërguar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut”, ku pritet të merren masa sipas ligjeve në fuqi.

Ai theksoi se Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe sovran, dhe se Kosova “as nuk ka cenuar një shtet tjetër, as nuk ka provokuar popullatën e një shteti tjetër dhe as nuk do të lejojë veprime të tilla ndaj nesh”.

“Nuk do të tolerojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë, e aq më pak të Luftës sonë Çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare”, theksoi ministri në detyrë.

Sveçla theksoii se deklarimet si të Popoviqit janë “model millosheviqian” që mbahen ende gjallë nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

“Deklarimet e modelit millosheviqian, që administrata politike e Serbisë të drejtuar nga Vuçiq i mban ende gjallë dhe i shpërndan kudo, janë të dënueshme sepse janë përçarëse, të pavërteta sepse janë të trilluara, dhe të dëmshme sepse janë në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të fqinjësisë dhe shoqërive përparimtare”, theksoi ministri në detyrë.

The post Sveçla pas ndalimit të Popoviqit: Nuk tolerojmë fyerje ndaj UÇK-së appeared first on Kosovapost.net.