Një udhëzim i ri nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ndalon ambasadorët dhe diplomatët amerikanë të komentojnë mbi zgjedhjet dhe gjendjen e demokracisë në vendet e huaja. Ky vendim, i firmosur më 17 korrik, përfaqëson një kthesë të fortë nga tradita shumëvjeçare e politikës së jashtme të SHBA, e cila historikisht ka promovuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut nëpër botë.
Sipas urdhërit, çdo deklaratë për zgjedhjet jashtë vendit duhet të miratohet personalisht nga Rubio ose zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. Fokusi i ri do të jetë tek interesat strategjike dhe bashkëpunimet ekonomike, edhe me regjime autoritare, duke shmangur presionin për reforma demokratike.
Kjo linjë është në përputhje me qasjen e Presidentit Donald Trump, i cili në një fjalim në Riad kundërshtoi “ndërhyrjet perëndimore në punët e brendshme të vendeve të Lindjes së Mesme”.
Kritikët e shohin këtë si institucionalizim të hipokrizisë në politikën e jashtme të SHBA-së, duke paralajmëruar se mund të forcojë regjimet autoritare dhe të dëmtojë reputacionin e Amerikës si mbrojtëse e të drejtave të njeriut.
Ky vendim vjen në një kohë kur raportet ndërkombëtare tregojnë se demokracia po përballet me rënie në mbarë botën, ndërsa Kina dhe Rusia po shtojnë ndikimin e tyre autoritar.
The post SHBA ndalon diplomatët të flasin për demokracinë dhe zgjedhjet jashtë vendit appeared first on Kosovapost.net.