Një video nga koncerti i Coldplay në New York është bërë virale, pasi në ekranin gjigant të skenës u shfaq një moment i sikletshëm mes CEO-së së kompanisë teknologjike Astronomer, Andy Byron, dhe një kolegeje të tij.
Dyshja u kapën në një moment afërsie të dyshimtë, dhe sapo e kuptuan se po shfaqeshin drejtpërdrejt, me siklet u përpoqën t’i shmangnin kamerës – por ishte tepër vonë.
Pamja u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale, duke u kthyer në një nga videot më të komentueshme të javës. Reagimet publike ishin më shumë komike sesa të indinjuara – askush nuk u trondit realisht, por momenti u përdor masivisht për meme dhe ironi në internet.
Përballë viralitetit të situatës, Byron publikoi një deklaratë emocionale më 17 korrik, ku kërkoi falje publike për “një gabim personal të thellë që ndodhi në një skenë shumë publike”.
“Dua të kërkoj sinqerisht falje ndaj gruas time, familjes sime dhe ekipit në Astronomer. Ju meritoni më mirë nga unë si partner, si baba dhe si lider”, shkruan ai.
“Ky nuk është njeriu që dua të jem, as mënyra si dua të përfaqësoj kompaninë që ndihmova të ndërtoja. Po marr kohë për të reflektuar, për të marrë përgjegjësi dhe për të kuptuar hapat e ardhshëm, si personalisht ashtu edhe profesionalisht.”
Ai shprehu pakënaqësinë që momenti u bë publik pa pëlqimin e tij: “Shpresoj që të gjithë të mendojmë më thellë për ndikimin që ka shndërrimi i jetës së dikujt tjetër në spektakël.”
Deklarata e tij përfundon me një citim emocional nga kënga “Fix You” e Coldplay: “Dritat do të të udhëheqin drejt shtëpisë, do të ndezin eshtrat e tua dhe unë do përpiqem të të ndreq.”
Por ndërkohë që ai kërkoi privatësi dhe reflektim, rrjeti vijoi ta kthejë momentin në meme si një moment i sikletshëm dhe viral.