“Mashtruese” dhe “Jorelevant”, si nisi përplasja ndërmjet Avdullah Hotit dhe Vjosa Osmanit

Marrëveshja e Uashingtonit ka shkaktuar një përplasje mes ish-bashkëpartiakëve, presidentes Vjosa Osmani dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti.

Dikur të njohur për respektin dhe vlerësimin e ndërsjellë, sot ata shkëmbejnë akuza ndaj njëri-tjetrit,

Hoti ditë më parë ka deklaruar se presidentja para disa vitesh e quante Marrëveshjen e Uashingtonit, si cenim të rendit kushtetues dhe rrezik për shtetin, ndërsa sot, ajo e quan “marrëveshje të mirë”.

“Osmani, që dikur e quante Marrëveshjen e Uashingtonit cenim të rendit kushtetues dhe rrezik për shtetin, sot – pas 5 vitesh – e quan “marrëveshje të mirë” dhe madje pretendon se “e kemi zbatuar”. Kjo është ajo që ndodh kur fitimi dhe mbajtja e pushtetit bëhet më i rëndësishëm se interesi shtetëror”, kishte theksuar Hoti

Por, një përgjigje ndaj Hotit e bëri ditën e enjte, presidentja Vjosa Osmani.

Në një deklarim për media, Osmani e quajti Hotin “njeriun më jorelevant”, duke thënë se nuk dëshiron të humbë kohë me të.

“Hoti është njeriu më jorelevant, në të cilin nuk dua të humbë asnjë sekondë. Nëse doni ta bëni si pyetje tuajën se a është zbatuar marrëveshja apo jo, vetëm Serbia e akuzon Kosovën për moszbatim të marrëveshjeve”, tha Osmani.

Përplasja nuk mjaftoi me kaq, Hoti bëri sërish një reagim ndaj presidentes, duke e akuzuar për mungesë të rezultateve gjatë mandatit të saj pesëvjeçar në krye të shtetit.

“Pesë vite në shërbim të agjendës shtetrrënuese të bashkë-mashtruesit. Ky është problemi që ka Vjosa. Kjo e ka hallin se do të mbetet në histori si mashtruesja më e madhe e elektoratit djathtist të LDK-së,” ka shkruar Hoti në Facebook.

Kjo përplasje ndërmjet Hotit dhe Osmanit nxiti edhe disa reagime të zyrtarëve të LDK-së, të cilët në profilet e tyre në rrjetet sociale shpërndanë fotografi të Hotit bashkë me presidentin të SHBA-së, Donald Trump

The post “Mashtruese” dhe “Jorelevant”, si nisi përplasja ndërmjet Avdullah Hotit dhe Vjosa Osmanit appeared first on Kosovapost.net.