Pas tri dekada përpjekjesh ligjore, familjes Ondashi i kthehet banesa në Mitrovicë, e cila ruan kujtimet e një jete të tërë. Seid Ondashi e quan këtë rikthim një fitore të nënës së tij, që nuk u dorëzua kurrë në kërkim të drejtësisë.
Pas tri dekadash, familjes Ondashi iu kthye prona. Ajo ishte në gjendje të mjerueshme, por Ondashi thotë se do ta bëjë të pamundurën që ta kthejë në gjendjen e duhur për banim.
Sapo hapi derën, Seidit iu kthyen shumë kujtime nga fëmijëria.
“Ishte ndjenjë e veçantë të kthehem pas 30 vitesh në banesën tonë, edhe pse po e shihni nuk është në gjendjen e mirë por prapëseprapë është një banesë të cilën e kanë fituar me punë prindërit e mi që kanë qenë profesorë”, tha Seid Onbashi, pronar i banesës, raporton RTKlive.
Për Seidin, kjo është një ndjenjë e mirë pasi aty e kishte kaluar rininë. “Jam i lumtur që e kemi fituar rastin edhe është një fitore e nënës sime, se baba ka ndërruar jetë, nëna ime nuk është ndal asnjë ditë dhe gjithmonë është ankuar nëpër institucione dhe jam i lumtur që në fund kjo fitore kjo banesë është një fitore e nënës sime”, tha ai.
Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, përmes zyrës së saj në Mitrovicë, ka bërë të ditur se procesi i kthimit të banesave vazhdon. Deri më tani, dhjetëra familje u janë rikthyer pronave të tyre legjitime.
Procesi i kthimit të pronave vazhdon edhe në veri, ku shumë familje të tjera janë ende në pritje të një drejtësie që ka vonuar prej dekadash.
The post Familja Ondashi rikthehet në pronë pas tri dekadash appeared first on Kosovapost.net.