Krasniqi pas rrëzimit të mocionit nga Specialja: E presim me padurim lirimin e tyre të pafajshëm

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pasi Gjykata Speciale në Hagë refuzoi mocionin për rrëzimin e një pjese të aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK’së.

Krasniqi ka thënë se edhe ky vendim përfaqëson një mundësi të humbur për ta forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare.

Ai është shprehur i bindur se ish-krerët e UÇK’së do të lirohen, shkruan Reporteri.net.

“Historia nuk guxon dhe nuk mund të shkruhet në sallat e heshtura të gjykatave, sepse është shkruar në sakrificat e popullit tonë për liri. Drejtësia mund të vonohet, por e vërteta nuk do të ndryshojë asnjëherë. Ata janë të pafajshëm. Ata janë çlirimtarë. Prandaj, e presim me padurim vendimin final për lirinë e tyre. Krenaria dhe dinjiteti i atyre që luftuan për këtë vend mbeten të pathyeshme – përjetësisht! Dielli do të lind përsëri – për çlirimtarët, për Kosovën dhe për të vërtetën”, ka shkruar Krasniqi.

Gjykata Speciale ka rrëzuar mocionin e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së, duke lënë në fuqi të gjitha akuzat ndaj tyre.

Avokatët kishin kërkuar rrëzimin e akuzave që lidhen me periudha jashtë datave të përcaktuara në aktakuzë, duke argumentuar se në Kosovë nuk ka pasur konflikt pas qershorit 1999 dhe para fundit të majit 1998.

Gjykata e refuzoi kërkesën, duke theksuar se aprovimi i saj do të fragmentarizonte çështjen.