Këngëtarja e njohur britanike me prejardhje shqiptare, Rita Ora, është parë sërish duke tërhequr vëmendjen në rrugët e New Yorkut, këtë herë me një kombinim të pazakontë, që bashkon klasiken me frymën e rrugës.
Ajo ka zgjedhur të interpretojë në mënyrën e saj të veçantë një nga tendencat më të mëdha të këtij sezoni në modë – këpucët loafer, shkruan WWD.
E veshur me një xhaketë gri me kuadrata në prerje klasike dhe një minifund të shkurtër me pala, Rita ka krijuar një pamje që i ngjan uniformave shkollore, por me një kthesë moderne.

Ajo i ka kombinuar loafers-ët klasikë prej lëkure të zezë me një palë çorape të verdha të trasha nga Polo Ralph Lauren, duke shtuar një kontrast ngjyrash dhe teksturash që i jep pamjes një dozë loje dhe guximi.
Tekstura e rrjetë e çorapeve dhe nuanca e tyre e fortë theksojnë edhe më shumë lëkurën e lëmuar të këpucëve, duke thyer neutralitetin e pjesës tjetër të veshjes.

Loafers-ët janë kthyer fuqishëm këtë vit në modë – nga pasarelat e modës e deri te rrugët e qyteteve të mëdha – veçanërisht modelet prej lëkure të errët me detaje penny ose me thekë.
Rita Ora po udhëheq këtë trend me një sërë paraqitjesh gjatë kësaj jave, ku ka eksperimentuar me këpucë të ndryshme si sandalet me takë transparente plexiglass nga Sportmax dhe çizmet deri në gjunjë me taban të trashë nga Stuart Weitzman.

Zëvendësimi i takave me loafers i jep stilit të saj një kthesë më të strukturuar dhe të rafinuar, pa humbur natyrën e saj eklektike.
Ky rikthim i loafers-ëve nuk është i kufizuar vetëm te Ora. Edhe meshkujt në tapetet e kuq po i zgjedhin gjithnjë e më shumë për shkak të formave më të holla dhe elegante, ndërkohë që markat e njohura si Prada apo Rothy’s po i prezantojnë versionet e tyre verore me dizajne të lehta, por edhe me tabanë të trashë dhe forma skulpturore.

Bashkëpunime si ai mes dizajnerit Willy Chavarria dhe prodhuesit portugez Mariano Shoes i kanë çuar loafers-at edhe në botën e modës së lartë, me një qasje minimaliste dhe avangarde.
Ndërkohë që po promovon këngën e saj të re “Heat”, të publikuar në qershor, Rita Ora është parë shpesh në lagje të ndryshme të Manhattanit.

Veshja e saj e fundit përfshinte një bluzë të bardhë me tekst të zi në stil artistik, që ajo e kishte kombinuar me xhaketën dhe fundin e përshtatur.
Syzet e mëdha katrore dhe vëthët rrethorë kompletonin pamjen, por sytë mbetën të përqendruar poshtë: tek loafers-ët dhe çorapet e verdha, që e bënë të gjithë kombinimin të duket rinor, paksa rebel dhe me shumë shije.
