Një zjarr i madh në Lipjan ka përfshirë një depo dhe zyrat qendrore të një rrjeti të supermarketeve.
Nga zjarri nuk raportohet për persona të lënduar nga radhët e civilëve, por megjithatë një zjarrëfikës është dërguar në emergjencë për trajtim mjekësor pasi pas intervenimit i është përkeqësuar gjendja.
Imri Ahmeti në një prononcim për media tha se dëmi është jashtëzakonisht i madh te kompanitë që kanë investuar, teksa ftoi të gjithë të kenë kujdes në temperatura të larta në mënyrë që të evitohen zjarret potenciale.
“Është fatkeqësi e madhe, janë dëme jashtëzakonisht të mëdha të të dy investitorëve që kanë investuar shumë në këto depo. Në depo ka pasur edhe mall pasi ato ishin funksionale. Nuk ka fatkeqësi në njerëz, dëmi është i jashtëzakonshëm. I falenderoj zjarrfikësit e Lipjanit dhe të komunave fqinje të cilët kanë qenë shumë aktiv, por për fat edhe të erës së madhe që ka fryer dhe konstruksioneve, ka qenë e pamundur për të shpëtuar këto dy depo. Të shohim tutje për shkaqet, një konstatim është i saktë që dëmet janë milionëshe të këtyre dy investimeve. Po bëjmë përpjekje që ta shuajmë në tërësi zjarrin që të mos ketë tym në qytet. Në këtë kohë të verës të gjithë duhet të kemi kujdes nga zjarret, nga zjarret edhe fushore që pastaj po shkaktojnë probleme, por në rastin konkret ftesa ime është që të gjitha bizneset të kenë gatishmëri dhe intervenime vetanake që të kenë aparaturat e nevojshme kundër zjarrit”.
Remzi Ilazi investitori i dëmtuar tha se dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha, megjithatë ende nuk dihet për shifrat.
“Nuk i di numrat, por normalisht se do të rregullohet. Dëmi është shumë i madh”, tha ai.
Ende nuk dihet shkaku i shpërthimit të zjarrit dhe as shuma e dëmeve materiale që janë shkaktuar./kp
The post Dëme të mëdha nga zj*arri në Lipjan appeared first on Kosovapost.net.