Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO në Kosovë, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka pritur sot në selinë e KFOR-it në Kampin Film City në Prishtinë të dërguarën speciale të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce. Ajo ishte e shoqëruar nga ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, transmeton KosovaPost.
Sipas komunikatës së KFOR-it, takimi u përqendrua kryesisht në situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe në Dialogun Beograd–Prishtinë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Në këtë kontekst, gjeneralmajor Barduani ritheksoi përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet,” thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Komandanti i KFOR-it gjithashtu vlerësoi lart rolin e Mbretërisë së Bashkuar në mision.
“Ai gjithashtu vlerësoi profesionalizmin e kontingjentit britanik dhe shprehu mirënjohjen e tij për kontributin afatgjatë të Mbretërisë së Bashkuar ndaj KFOR-it dhe ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon,” thuhet më tej.
Gjatë vizitës, të dërguara speciale britanike, znj. Pierce, shprehu mirënjohje për angazhimin e KFOR-it në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.
“Ekselenca e saj Pierce shprehu mirënjohjen për përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe mbështetjen e stabilitetit për të gjitha komunitetet në Kosovë,” thuhet në deklaratë.
KFOR ka theksuar se vazhdon të zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.
The post Barduani pret të dërguarën speciale britanike, flasin për sigurinë në vend appeared first on Kosovapost.net.