Qytetarët e Serbisë nuk po heqin dorë nga protestat masive kundër regjimit të Aleksandar Vuçiqit, dhe mbrëmë në rrugë dolën edhe banorët e qytetit të Uzicës. Pjesëmarrësit në protestë, të udhëhequr nga studentë dhe motoristë, formuan një marsh që u nis nga qendra e qytetit drejt rrugës magjistrale që çon në Zlatibor, ku u vendos një bllokadë disaorëshe e qarkullimit.
Kolonat ishin të gjata dhe vlerësimet nga vendngjarja flasin për dhjetëra mijëra qytetarë të mbledhur. Protestuesit ndezën dritat e telefonave për të treguar numrin e madh të pjesëmarrësve, raportoi Nova.rs. Në Uzicë, bllokada vazhdon ende, me një atmosferë paqësore dhe pozitive.
Shumë punonjës dhe personalitete publike iu bashkuan turmës, përfshirë rektorin e Universitetit të Beogradit Vladan Gjokiq, i cili tha: “Le të vazhdojmë në atë që studentët filluan – në luftën për institucione që u shërbejnë qytetarëve”.
Aktori Tihomir Staniq gjithashtu dërgoi një mesazh të fortë duke cituar vargje nga Ljubomir Simoviq, ndërsa avokati i famshëm Bozho Preleviq tha: “Çfarë dobie ka një maskë për një oficer policie nëse ai po zbaton ligjin? Cili është qëllimi i një maske – frika apo e vërteta?”
The post Qytetarët vazhdojnë protestat masive kundër regjimit të Vuçiqit appeared first on Kosovapost.net.