“Ndryshimi kurrë s’ka qenë më i domosdoshëm” – Vetëvendosje në Prishtinë intensifikon takimet në terren

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishtinë, ka zhvilluar një sërë takimesh në lagje dhe fshatra të kryeqytetit gjatë kësaj jave, si pjesë e fushatës për identifikimin e problemeve dhe ndërtimin e platformës për zgjedhjet lokale të tetorit.

Në një postim publik, kjo degë e subjektit qeverisës ka njoftuar se gjatë javës kanë vizituar Taslixhën, Sofalinë, Qendrën, Dodonën, Bregun e Diellit, Lagjen e Muhaxherëve, Gollakun, Kodrën e Trimave dhe fshatin Besi.

“Javën e nisëm me Taslixhen – Sofalinë, e përmbyllëm me Qendrën… Nuk do të ndalemi, për ditë e deri në fund, në çdo cep”, thuhet në postim, duke theksuar se këto vizita po bëhen në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët për të identifikuar sfidat dhe për të ndërtuar zgjidhje të qëndrueshme.

Sipas VV-së, zhgënjimi i qytetarëve me qeverisjen aktuale në Prishtinë “kurrë s’ka qenë më i thellë”, ndërsa dështimet janë “më evidente se kurrë më parë”.

“Fitorja do të jetë e madhe, sepse ndryshimi kurrë s’ka qenë më i domosdoshëm”, përfundon postimi, duke paralajmëruar një angazhim të shtuar të kësaj force politike në terren, në funksion të synimit për të marrë drejtimin e kryeqytetit.