Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një darkë pune me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan.
Darka u mbajt në rezidencën e ambasadorit amerikan në Prishtinë dhe u organizua nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së, Anu Prattipati.
Në këtë darkë pune morën pjesë edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, si dhe ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje zyrtarit amerikan, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat i palëkundur i Kosovës, ndërsa shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe zhvillimit demokratik të vendit.
Gjatë darkës u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara në fusha si investimet, diplomacia, mbrojtja dhe integrimi euro-atlantik i Kosovës.
Kurti shprehu gatishmërinë e Qeverisë për të thelluar më tej këto raporte.
Temë e diskutimeve ishin gjithashtu zhvillimet politike aktuale, bashkëpunimi rajonal dhe raportet me Serbinë, në një periudhë të ndjeshme për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
Vizita e Brendan Hanrahan në Kosovë po konsiderohet si pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit në nivel politik dhe strategjik.