Hoti i reagon Osmanit për Marrëveshjen e Uashingtonit: Ti e Kurti nuk e keni zbatuar

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Sipas Hotit, presidentja para disa vitesh e quante Marrëveshjen e Uashingtonit, si cenim të rendit kushtetues dhe rrezik për shtetin, ndërsa sot, ajo e quan “marrëveshje të mirë”,  Hoti në Facebook, ka shpërndarë deklaratat e Osmanit, ndërsa ka shkruar se kjo nuk është asgjë e re nga ajo, dhe vetëm hipokrizi e radhës.

“Osmani, që dikur e quante Marrëveshjen e Uashingtonit cenim të rendit kushtetues dhe rrezik për shtetin, sot – pas 5 vitesh – e quan “marrëveshje të mirë” dhe madje pretendon se “e kemi zbatuar”. Kjo është ajo që ndodh kur fitimi dhe mbajtja e pushtetit bëhet më i rëndësishëm se interesi shtetëror”, ka theksuar Hoti.

Po ashtu, ai ka deklaruar se “Marrëveshja që dikur e luftonte për vota, sot shërben për lavdi të rreme”.

“Jo, ti e Kurti nuk e keni zbatuar këtë marrëveshje. E keni luftuar atë. Tani po mundoheni ta përvetësoni kur kanë ndryshuar rrethanat politike në SHBA. Ky është kulmi i mashtrimit politik”, nënvizoi ai.

The post Hoti i reagon Osmanit për Marrëveshjen e Uashingtonit: Ti e Kurti nuk e keni zbatuar appeared first on Kosovapost.net.