Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka “informacione të besueshme” se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.
Osmani theksoi se kjo ka ndodhur “së voni”, përkatësisht këtë vit, por nuk dha më shumë detaje.
“Nuk po flasim për vitin 2023”, tha ajo, duke iu referuar kohës kur ka ndodhur sulmi i armatosur në Banjskë pranë Zveçanit.
“Meqë ka ndodhur më parë, parandalimi është kyç”, tha Osmani gjatë në ligjërate në Uashington.
“Nuk mund ta mohojmë mundësinë, sepse ka ndodhur më parë”, shtoi ajo.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përmendur disa herë ndërmjetësimin e tij në raportet mes Kosovës dhe Serbisë si shembull të rolit të SHBA-së në parandalimin e konflikteve.
Kosova dhe Serbia, gjatë mandatit të parë të presidentit Trump, në shtator të vitit 2020, nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë Marrëveshjen e Uashingtonit për normalizim ekonomik, në praninë e tij.
Kjo marrëveshje, e cila përfshinte edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar në tërësi./Rel
The post Osmani: Trumpi parandaloi një përshkallëzim të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë appeared first on Kosovapost.net.