Kosova ka shënuar fitore të madhe ndaj Danimarkës për t’u kualifikuar në Play-off-in e Kampionatit Evropian për Esports, në kuadër të lojës Counter Strike, event ky që po mbahet për herë të parë në vendin tonë.
Edhe pse ishin në disavantazh nga mapi i parë, Kosova e përmbysi ndeshjen për t’i fituar dy mapet e tjera ndaj danezëve, që përfaqësoheshin nga ekipi i njohur “Sashi”.
Danimarka e nisi më mirë për ta fituar mapin e tyre “De_Train”, me rezultat 13:9. Danezët ishin dukshëm më të mirë, ku më i dalluari ishte Lukas Bauder Balcells “Beccie” me 21 eliminime, aq sa kishte edhe Philip Eëald “Lucky”.
Megjithatë, në dy mapet e tjera Kosova ishte larg më e mirë se Danimarka, ku e përmbysën tërë rezultatin.
Fillimisht në mapin e tyre “De Mirage”, Kosova shënoi fitore me rezultat 13:10. Flatron Halimi “Juanflatroo” ishte i pandalshëm me 25 eliminime, ndihmuar nga snajperisti Genc Kolgeci “gxx-” me 21 sosh.
Në të njëjtën mënyrë Kosova e dominoi edhe mapin e tretë “De_Ancient”, për të fituar me rezultat 13:9 dhe njëkohësisht siguruar play-offin e Kampionatit Evropian.
“Juanflatroo” sërish ishte më i dalluari, këtë herë me 23 eliminime. Kësisoj, Kosova kualifikohet në Play-Off-in e Kampionatit Evropian, ku do të përballet me vendin e dytë të grupit B.
Ndërkohë, Danimarka do ta ketë një sfidë me fituesin e ndeshjes Irlandë – Republika Çeke, ku edhe do të vendoset se cila skuadër avancon tutje si e dyta pas Kosovës.
Ndeshja e radhës për Kosovën është të shtunën, me fillim nga ora 10:00.
The post Kosova fiton me rikthim ndaj Danimarkës, kualifikohet në Play-off appeared first on Kosovapost.net.