Përfunduan me sukses kursin për Ranger në SHBA, i pret Jashari

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari priti në takim Oficeret të cilët kanë përfunduar me sukses kursin për Ranger në SHBA, transmeton KosovaPost.

“Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari fillimisht i përgëzoi pjesëtarët për suksesin e arritur, duke theksuar rëndësinë e veçantë të këtij trajnimi, i cili njihet si një ndër kurset më sfiduese ushtarake dhe taktike. Ai theksoi se ky trajnim avancon ndjeshëm nivelin e përgatitjes dhe gatishmërisë operacionale të trupës së oficerëve të FSK-së”, thuhet në njoftim.

FKS-ja thotë se që nga viti 2023, pjesëtarët tanë kanë shënuar arritje të konsiderueshme. “Fillimisht, Kapiten Ylli Dalladaku u bë oficeri i parë i FSK-së që e përfundoi me sukses këtë kurs. Në vitin 2024, të njëjtin sukses e arriti edhe Toger Egzon Elshani. Veçanërisht domethënëse është arritja e këtij viti, ku Toger Vesa Ibrahimi bëhet oficerja e parë nga radhët e FSK-së që e përfundon këtë kurs, duke qenë njëkohësisht edhe një nga të paktat pjesëtare femra ndërkombëtare që kanë përfunduar me sukses një nga kurset më sfiduese të ushtrisë amerikane”.

Këtë sukses Jashari e cilësoi si dëshmi të përkushtimit dhe profesionalizmit të pjesëtarëve të FSK-së në trajnimet ndërkombëtare. “Ai theksoi rëndësinë e shpërndarjes së përvojës dhe aftësive të fituara me pjesëtarët tjerë të FSK-së, në funksion të forcimit të kapaciteteve të përgjithshme të forcës”, thuhet një njoftimin e FSK-së.

The post Përfunduan me sukses kursin për Ranger në SHBA, i pret Jashari appeared first on Kosovapost.net.