Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka ndarë sot një lajm të rëndësishëm për Kosovën, duke bërë të ditur se Banka Botërore e ka larguar vendin nga Lista e Shteteve Fragjile dhe në Situatë Konflikti.
“Pas më shumë se 15 vitesh si shtet anëtar në Bankën Botërore, këtë javë kemi pranuar njoftimin se Kosova është larguar nga kjo listë,” tha Murati, duke e cilësuar këtë si një avancim të jashtëzakonshëm që vulos arritjet e Kosovës si shtet.
Sipas ministrit, ky zhvillim është dëshmi e stabilitetit institucional dhe qëndrueshmërisë ekonomike që ka arritur vendi. Ai theksoi se kjo do të ketë ndikim të madh në perceptimin ndërkombëtar ndaj Kosovës, duke rritur njëkohësisht besueshmërinë e investitorëve të huaj.
Murati gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Bankën Botërore dhe koordinimit të suksesshëm ndërmjet institucioneve vendore, në veçanti Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Qendrore të Kosovës.
“Patjetër që falënderim i veçantë shkon për të gjithë që janë angazhuar drejt kësaj arritjeje,” përfundoi Murati.
The post Lajm historik: Banka Botërore e heq Kosovën nga lista e vendeve në situatë konflikti – Murati: Fitore për stabilitetin tonë appeared first on Kosovapost.net.