Qeveria ndan mbi 5 milionë euro për zhvillim rajonal, kulturë dhe punësim

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës mbajti sot mbledhjen e saj të 264-të, gjatë së cilës miratoi vendime të rëndësishme për investime në infrastrukturë, arsim, kulturë dhe punësim.

Në mbledhje u miratua ndarja e 580 mijë eurove për bashkëfinancimin e projektit për ndërtimin e Shkollës së Muzikës dhe Muzeut të Preshevës, si pjesë e angazhimeve për mbështetjen e zhvillimit kulturor dhe arsimor në rajon.

Gjithashtu, u rialokuan 1.2 milion euro për dhjetë projekte kapitale në komunat Dragash, Ferizaj, Gjakovë, Han i Elezit, Klinë, Mitrovicë, Podujevë, Shtime, Prizren dhe Mamushë.

Ky financim vjen në kuadër të Programit për Zhvillim Rajonal 2025, me synim nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të balancuar social e ekonomik në të gjitha rajonet e vendit.

Qeveria miratoi edhe nismën për lidhjen e një marrëveshjeje granti në vlerë prej 1 milion dollarësh me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim.

Ky grant do të shërbejë për përgatitjen e projektit “Nxitja dhe Levimi i Mundësive për Sigurinë e Ujit – Faza 2”, që do të ndihmojë Kosovën në ndërtimin e një kornize kombëtare për sigurinë e digave. Projekti do të zbatohet nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Ndër të tjera, Qeveria aprovoi kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të transferuar 712,215 euro për mbulimin e obligimeve ndaj Federatës së Volejbollit dhe Komitetit Olimpik të Kosovës, në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet palëve.

Në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, u ndanë edhe 2 milionë euro për mbështetjen e punësimit të qytetarëve nga komunitetet joshumicë në të gjithë vendin, përmes masës 1.9 që synon përfshirjen dhe integrimin ekonomik të këtyre komuniteteve.

Qeveria theksoi rëndësinë e vazhdimit të investimeve për zhvillim të barabartë dhe gjithëpërfshirës në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

The post Qeveria ndan mbi 5 milionë euro për zhvillim rajonal, kulturë dhe punësim appeared first on Kosovapost.net.