Arrestimi i Noizyt në Zvicër, reagon ekipi menaxherial: Të gjithë jemi të habitur dhe të zhgënjyer, është keqkuptim

Rap-artisti Noizy ditë më parë u ndalua nga autoritetet zvicerane menjëherë pas mbërritjes në aeroportin e Cyrihut.

Këngëtari ndodhej në Zvicër si pjesë e një turneu promovues për albumin e tij më të fundit, “Icon”, dhe pritej të performonte në një klub nate në qytet.

Lajmi për arrestimin e tij u përhap me shpejtësi në mediat online dhe rrjetet sociale.

Disa media raportojnë se ndalimi është kryer me urdhër të Zyrës së Prokurorit Publik për Krime të Rënda dhe të Dhunshme.

Në një prononcim për Revista Class, njerëz të ekipit menaxherial pranë Noizyt pohojnë se situata është rezultat i një ngatërrese administrative dhe nuk ka të bëjë me ndonjë çështje penale.

Menaxhmenti i tij ndërkombëtar, “Universal” nga Gjermania është vënë menjëherë në lëvizje duke angazhuar ekip ligjor për të sqaruar ngjarjen.

“Të gjithë jemi të habitur dhe të zhgënjyer nga mënyra si ndodhi kjo. Nuk është e qartë se çfarë ka çuar në këtë ndalim, por duket të jetë një keqkuptim”, shprehen të afërm të artistit.

Burimet tutje theksojnë se Noizy nuk është i përfshirë në asnjë hetim aktiv dhe se menaxhmenti është i bindur se gjithçka do të zgjidhet së shpejti.

Manaxhmenti, familja, njerzit e afërt rreth Noizyt distancohen nga çdo lajm i rremë që është përhapur këto ditë rreth emrit të tij që mund ta lidhin me vepra penale.

Garantojnë ndër tjerash se Noizy nuk ka asnjë konflikt me askënd, por emri i tij keqpërdoret nga palë të treta.