Rita Ora do të performojë në finalen e ‘Wimbledon 2025’

Këngëtarja shqiptaro-britanike Rita Ora do të ngjitet në skenë për një koncert falas më 11 korrik në Brooklyn Bridge Park, në kuadër të ngjarjes “The Hill in New York”, një organizim treditor që i kushtohet transmetimit të finaleve të Wimbledonit.

Klubi i Tenisit “All England Lawn Tennis Club”, që organizon kampionatin prestigjioz të Wimbledonit, ka njoftuar se do të vendosë një ekran të madh televiziv në Brooklyn Bridge Park, për të transmetuar ndeshjet finale në një atmosferë që ngjason me një “kopsht anglez të Wimbledonit” – me lule karakteristike, luleshtrydhe me krem, scone të sapopjekura, si dhe peshk me patate të skuqura, një klasik britanik.

Festimet do të zgjasin gjatë fundjavës, nga e premtja më 11 korrik deri të dielën më 13 korrik, ndërsa mbrëmja hapëse do të kulmojë me performancën e Rita Orës përpara rreth 5,000 pjesëmarrësve. Hyrja në hapësirën e koncertit do të fillojë nga ora 18:00, dhe është e hapur vetëm për ata që kanë siguruar bileta.

Foto: Rita Ora/Instagram

Në një deklaratë për mediat, Rita Ora tha: “Si dikush që ka pasur privilegjin të përjetojë nga afër magjinë e finaleve të Wimbledonit, jam shumë e lumtur që do të sjell atë energji të veçantë të kampionatit edhe në Brooklyn Bridge Park, një nga vendet më ikonike të New Yorkut. Do të jetë një festë e jashtëzakonshme e tenis-it botëror, me gjithë emocionin që e shoqëron. Përgatituni për nxehtësi dhe atmosferë të paharrueshme!”.

Fituesit do të përzgjidhen në mënyrë të rastësishme dhe do të njoftohen më 8 korrik. Do të ketë gjithashtu një numër të kufizuar vendesh në dispozicion për hyrje të menjëhershme (walk-in).

Foto: Rita Ora/Instagram