Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Dimal Basha, ka reaguar pas ngjarjes tragjike që përfshiu vdekjen e një të riu nga Lipjani, duke e cilësuar këtë ditë si një nga më të rëndat për qytetarët e vendit.
“Sikurse për të gjithë qytetarët e Kosovës, edhe për mua është një ditë jashtëzakonisht tragjike për vendin tonë, pasi kemi të bëjmë me humbjen e jetës së një qytetari. Është një ngjarje thellësisht shqetësuese. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të të ndjerit,” tha Basha në RTK.
Ai theksoi rëndësinë e përfundimit të hetimeve dhe mbajtjes përgjegjës të të gjithë personave të përfshirë në këtë rast.
“Uroj dhe shpresoj që hetimet të përfundojnë sa më parë dhe të mbahet përgjegjës kushdo që ka qenë i përfshirë në këtë vdekje tragjike. Duhet të theksohet se, sado që videot janë të rënda dhe përmbajtja e tyre është tronditëse, nuk besoj se Policia e Kosovës ka vepruar me qëllim të keq,” shtoi ai.
Sipas Bashës, policët në Kosovë ballafaqohen çdo ditë me sfida të mëdha dhe shumica e tyre kryejnë detyrat me ndershmëri. Megjithatë, ai vuri në dukje se pakujdesia është një aspekt që nuk duhet neglizhuar.
“Kemi mbi 10 mijë pjesëtarë të policisë që bëjnë punë të ndershme. Mendoj se kjo ngjarje më shumë ka ndodhur si pasojë e pakujdesisë, dhe kodi penal e njeh edhe pakujdesinë si vepër penale.”
Deputeti kërkoi që çështja t’i lihet drejtësisë dhe institucioneve kompetente si Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), duke theksuar nevojën për qasje profesionale dhe transparente.
Basha shprehu keqardhjen më të thellë për familjen e të ndjerit dhe theksoi se, ndonëse Kosova konsiderohet ndër vendet më të sigurta në Evropë, trajnimet e vazhdueshme për pjesëtarët e policisë janë të domosdoshme për të shmangur situata të tilla në të ardhmen.
The post Basha: Vdekja e të riut, ngjarje e rëndë,hetimet duhet të sqarojnë gjithçka appeared first on Kosovapost.net.