Haxhiu reagon për 27-vjeçarin: IML ka kryer dje autopsinë, pritet raporti përfundimtar

Vdekja e 27 vjeçarit nga Lipjani, Agon Zejnullahu pas një ndërhyrje nga ana e Policisë së Kosovës, ka nxitur reagime të shumta në opinion.

Rasti tashmë është cilësuar si vdekje e dyshimtë, ndërsa pesë zyrtarë policorë janë arrestuar dhe suspenduar nga detyra nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu ka shkruar se dje është kryer autopsia e të ndjerit Agon Zejnullahu dhe se IML është duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik.

“Me urdhëresë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dje është kryer autopsia e të ndjerit Agon Zejnullahu. IML është duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore të marra gjatë autopsisë në mënyrë që të përfundojë sa më shpejt raporti i autopsisë. Instituti i Mjekësisë Ligjore ende nuk ka dorëzuar asnjë raport preliminar për këtë rast”, ka thënë Haxhiu.

Ndryshe në media është raportuar sot se raporti preliminar i IML-së konstaton se vdekja e 27-vjeçarit mund të jetë shkaktuar nga ndrydhja.

Për rastin tragjik ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili ka thënë se aksush nuk është mbi ligjin dhe se personat përgjegjës kushdo qofshin ata do të marrin dënimin e merituar.

“Pres që sa më shpejt, të zbardhet e vërteta dhe të gjitha rrethanat si dhe familjarët dhe opinioni publik të njoftohen me të gjitha të gjeturat dhe epilogun e këtij rasti. Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar”, tha Sveçla.

The post Haxhiu reagon për 27-vjeçarin: IML ka kryer dje autopsinë, pritet raporti përfundimtar appeared first on Kosovapost.net.