Një nga yjet e sezonit të dytë të serialit të famshëm “Squid Game” ka kërkuar falje publike pasi dyshohet se ka zbuluar pa dashje një element të rëndësishëm të ngjarjes, muaj përpara publikimit të finales.
Aktorja koreano-jugore, Park Gyu-young, e cila iu bashkua kastit të “Squid Game” në sezonin e dytë si Kang No-eul – një ish-ushtare dhe dezertuese nga Koreja e Veriut që bëhet një prej Rojeve Rozë, publikoi në janar një foto nga prapaskenat që më vonë u interpretua si ‘spoiler’ nga fansat e serialit.
Në imazhin e shpërndarë në rrjetet sociale, Park shfaqej me uniformën e njohur të ‘Rojeve Rozë’, personazhet që mbikëqyrin lojën dhe shpesh janë ata që ekzekutojnë lojtarët e eliminuar.

Por ajo që i vuri në lëvizje fansat ishte ajo çka u pa në sfond: aktori Lee Jin-ëook, i cili luan rolin e Lojtarit 246, duke mbajtur gjithashtu të njëjtën uniformë.
Kjo foto, e publikuar vetëm disa javë pas daljes së sezonit të dytë në fund të dhjetorit, bëri që shumë ndjekës të zbulojnë një zhvillim kyç të ngjarjes – se personazhi i Jin-wook do të maskohej si një nga ‘Rojet Rozë’ në sezonin final.
Ngjarja shkaktoi reagime të shumta në rrjete sociale, pasi sezoni i tretë dhe i fundit i “Squid Game” u lansua vetëm gjashtë muaj më vonë dhe fotografia u interpretua si një zbulim i madh që prishi surprizën e fansave.
Pas bujës së krijuar, Park Gyu-young, 31 vjeçare, kërkoi ndjesë për publikimin e paqëllimshëm të informacionit, duke theksuar se nuk kishte ndërmend të zbulonte ndonjë detaj të ngjarjes dhe se ishte një gabim gjatë ndarjes së materialeve nga xhirimet.
“Squid Game”, që u bë fenomen global pas publikimit të tij në vitin 2021, ka vazhduar të ruajë popullaritetin me sezonet pasuese. Seriali ka kthyer në yje ndërkombëtarë aktorë si Lee Jung-jae (në rolin e Seong Gi-hun) dhe ka fituar një numër të madh çmimesh e vlerësimesh kritike.
