Banka Botërore emëron Carole Megevand menaxhere për Kosovën

Banka Botërore, ka njoftuar se ka emëruar Carole Megevand si Menaxhere për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, duke filluar nga 1 korriku 2025.

Në rolin e saj të ri, Megevand do të udhëheqë angazhimin e Bankës Botërore në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, përkatësisht implementimin e Kornizave të Partneritetit me Vendin. Këto korniza mbështesin dy ekonomitë në përpjekjet e tyre për të krijuar vende pune më produktive, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve publike dhe për të nxitur zhvillimin e kapitalit njerëzor, me synim përfundimtar përshpejtimin e rritjes së qëndrueshme dhe afrimit me nivelin e të ardhurave të Bashkimit Evropian.

“Për mua është nder të marr rolin e Menaxheres së Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut dhe të kem privilegjin të shërbej për qytetarët e këtyre dy vendeve”, tha Carole Megevand, menaxhere e Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, me rastin e fillimit të punës në detyrën e re.

“Agjenda e zhvillimit për këto dy vende është e qartë: duhet t’u ofrojmë qytetarëve mundësi për punësim dhe për kontribut produktiv në ekonomi, në mënyrë që ekonomitë e këtyre vendeve të rriten dhe të përparojnë për të mirën e shoqërisë gjithandej”, tha ajo.

Carole Megevand, shtetase franceze, sjell me vete mbi dy dekada përvojë në Bankën Botërore, të cilës iu bashkua në vitin 2002.

Ajo ka udhëhequr operacione komplekse në vende të ndryshme të Afrikës, në Amerikën Latine dhe në Afrikën e Veriut, me fokus të veçantë në zhvillimin ndërsektorial dhe në qeverisje. Së fundmi, ka shërbyer si udhëheqëse e Programit për Planetin në rajonin e Magrebit, me seli në Rabat, Marok. Ajo ka dy diploma master: në Ekonomi Bujqësore dhe në Ekonomi të Mjedisit / Burimeve Natyrore.

 

The post Banka Botërore emëron Carole Megevand menaxhere për Kosovën appeared first on Kosovapost.net.