Xhamia e fshatit Meshinë, përfaqëson vlerë të rrallë historike

Xhamia e fshatit Meshinë, që ndodhet në Komunën e Kamenicës, përfaqëson një vlerë të rrallë historike, arkitekturore dhe shpirtërore për komunitetin lokal dhe më gjerë. E ndërtuar rreth vitit 1915, kjo xhami është tashmë e përfshirë në listën e objekteve nën mbrojtje, për shkak të rëndësisë së saj kulturore dhe historike.

 

Bujar Fera, sekretar në Këshillin e Bashkësisë Islame në Kamenicë, thekson se në mesin e shumë xhamive në komunën e Kamenicës, edhe kjo xhami ruan një të kaluar të pasur në shërbim të komunitetit.

“Është njëra nga xhamitë e vjetra në këtë zonë që heshtja e kësaj zone pa banorë flet vetë dhe ky objekt i kultit ka një rëndësi të veçantë sepse i përket fundit të shekullit të kaluar dhe fillimit të shekullit të tanishëm. Ka filluar punimet në vitin 1888 dhe ka përfunduar bashkë me mejtepin në vitin 1915”, tha Fera.

Ajo që e bën veçanërisht të dallueshme këtë xhami është minarja e saj prej druri, një veçori unike në rajon, që ruan stilin tradicional të ndërtimit dhe reflekton mjeshtërinë artizanale të kohës. Minarja prej druri jo vetëm që i jep objektit një pamje autentike, por është edhe dëshmi e gjallë e teknikave ndërtimore të fundshekullit XIX – fillimshekullit XX.

“E veçanta e kësaj xhamie është edhe minarja e saj prej druri, gjë që nuk e kemi në asnjërën nga objektet tona fetare siç janë xhamitë. Ne nuk kemi pasur mundësi të gjejmë emra saktë se kush e ka ndërtuar këtë xhami, mirëpo ajo që flet është se sigurisht janë qytetarë shqiptarë, besimtarë që i përkasin fesë myslimane”, tha Fera.

Brenda oborrit të xhamisë gjenden ende themelet e mejtepit të dikurshëm, që për dekada me radhë ka shërbyer si vend i dijes dhe arsimimit për fëmijët e fshatit, si dhe si një hapësirë pushimi e tubimi për banorët lokalë. Ky kompleks modest, por me vlera të mëdha, ka qenë një qendër e rëndësishme e jetës fetare dhe shoqërore në këtë zonë malore të Kosovës Lindore.
Për shkak të rrethanave historike, funksioni i kësaj xhamie ka qenë i ndryshëm.

Ruajtja dhe mbrojtja e kësaj xhamie është jo vetëm një obligim ndaj trashëgimisë kulturore, por edhe një kujtesë e gjallë për identitetin dhe përkushtimin e komunitetit ndaj fesë, dijes dhe ruajtjes së vlerave brez pas brezi.

 

 

 

 

The post Xhamia e fshatit Meshinë, përfaqëson vlerë të rrallë historike appeared first on Kosovapost.net.