Zbulimi i rrjetit serb të spiunazhit në Kosovë, Musliu: Sukses historik i AKI-së, alarm për organizatat ndërkombëtare

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu ka përshëndetur punën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) në zbulimin e rrjetit serb të spiunazhit.

Musliu ka thënë se për herë të parë që nga paslufta, një person ka pranuar fajësinë për spiunazh në Kosovë në favor të shërbimeve sekrete serbe, duke përfshirë edhe rekrutimin e një punonjëse të një organizate ndërkombëtare që operon në Kosovë.

Ai ka thënë se ky zhvillim vjen si rezultat i punës AKI-së e cila po vlerësohet gjithnjë e më shumë si një prej shërbimeve më profesionale të sigurisë në rajon.

“Me pesë të arrestuar për raste të ndryshme spiunazhi, të gjithë të dyshuarit mbahen aktualisht në paraburgim. Pranimi i përfshirjes në spiunazh paraqet sfidë të veçantë për çdo shërbim inteligjence. Por AKI dhe institucionet e sigurisë në Kosovë po dëshmojnë se janë të afta të përballen me këto sfida komplekse, duke iu kundërvënë strukturave si BIA serbe, e cila operon sipas metodave dhe shkollës ruse”, ka shkruar Musliu.

Sipas tij, rasti është veçanërisht i ndjeshëm për faktin se përfshin tentativën për të infiltruar shërbime të huaja brenda institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.

“Ndërkohë, AKI mbetet e përkushtuar ndaj standardeve, vlerave dhe praktikave perëndimore. Rasti i fundit duhet të shërbejë si alarm për organizatat ndërkombëtare në Kosovë: nevojitet monitorim më i rreptë i stafit të tyre për të parandaluar depërtimin e ndikimit të shërbimeve sekrete serbe e ruse në këto institucione” u shpreh ai. /Telegrafi/

The post Zbulimi i rrjetit serb të spiunazhit në Kosovë, Musliu: Sukses historik i AKI-së, alarm për organizatat ndërkombëtare appeared first on Kosovapost.net.