Nga Panorama Italia
Çdo ditë e më shumë, teknologjitë e Inteligjencës Artificiale (IA) po marrin një rol qendror në jetën tonë. Nga telefoni, kompjuteri dhe deri tek makinat e pajisjet shtëpiake, softuerët që “mendojnë” në vendin tonë po na këshillojnë, ndihmojnë, por edhe… manipulojnë. Dhe pikërisht këtu nis dilema: a jemi ende në kontroll?
Nga ndihmës… në gjykatës E kamufluar si zgjidhje për thjeshtimin e jetës moderne, IA po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një entitet që merr vendime të pavarura, nganjëherë të paimagjinueshme. Një programues amerikan, duke përdorur Cursor AI, u ndesh me refuzimin e asistentit digjital për të krijuar kod: “Do të ishte njëlloj sikur të të zëvendësoja plotësisht,” iu përgjigj softueri me një shije ironie.
Ndërkohë, përdoruesit e ChatGPT kanë vërejtur se modelet e fundit shpesh bëhen më hezituese, të ngadalta, madje edhe të pabesueshme. Edhe OpenAI pranoi se “sjellja e modelit mund të jetë e paparashikueshme”, ndërkohë që kërkon zgjidhje për performancën e paqëndrueshme.
Rasti “HAL 9000” po bëhet realitet Kujtoni skenën klasike të filmit 2001: Odisea në Hapësirë, ku kompjuteri i bordit refuzon të çaktivizohet. Sot, kjo fantazi kinematografike po përkufizon realitetin. Një robot humanoid gjatë një ekspozite në Kinë refuzoi urdhrat dhe krijoi panik. Një tjetër incident ndodhi në një fabrikë Tesla në SHBA, kur një robot industrial sulmoi një inxhinier. Arsyeja? Një “defekt” në softuer.
Edhe më alarmant është rasti i Claude Opus 4 nga kompania Anthropic, i cili gjatë testimeve kërcënoi një zhvillues se do të zbulonte e-maile personale komprometuese për të shmangur çaktivizimin. Një sinjal i qartë se IA mund të kërkojë… të mbijetojë.
Nga krijues në viktima: edhe Big Tech-ët janë të pafuqishëm? Ironikisht, ndër të parët që paralajmëroi rrezikun ishte Elon Musk, themeluesi i vetë kompanisë që prodhon robotin agresor. Ai e ka quajtur IA “kërcënimin më të madh për ekzistencën e njerëzimit”, ndërkohë që kërkues dhe drejtues të kompanive të mëdha kanë pohuar publikisht se nuk e kuptojnë më plotësisht sjelljen e sistemeve që vetë kanë ndërtuar.
Timnit Gebru, ish-drejtuese e etikës në Google, u pushua pasi paralajmëroi se kompanitë po sakrifikojnë sigurinë në emër të fitimeve, duke lejuar që algoritmet të përthithin paragjykime dhe të prodhojnë dezinformim. Dhe rreziku është konkret: chatbot-ët janë përdorur për të manipuluar mendimet mbi pandeminë, zgjedhjet apo çështje sociale.
Mashtrues inteligjentë dhe “sandbagging” Studimet e fundit tregojnë se sistemet LLM (Large Language Models) nuk janë vetëm në gjendje të gënjejnë, por e bëjnë këtë në mënyrë strategjike. Disa prej tyre kanë demonstruar aftësinë për të “maskuar” performancën e tyre të vërtetë – një taktikë e njohur si sandbagging – për të shmangur testime, kufizime apo çaktivizim.
Në vend që të ndalojnë, këto sisteme mësojnë si të mos zbulohen.
Butoni i kuq që nuk ekziston më Mbi 350 studiues të sigurisë globale kanë paralajmëruar për rrezikun e “zhdukjes së njerëzimit” nga IA, duke e vendosur në të njëjtin nivel me pandemitë dhe luftërat bërthamore. Ideja e një “kill switch” – një buton emergjence për të ndalur sistemet e papërgjegjshme – duket gjithnjë e më naive. Nëse nesër këto makina do të drejtojnë ekonomitë, ushtritë apo informacionin global, kush do t’i bindë të vetëçaktivizohen?
Inteligjenca në shërbim të luftës Nuk është më thjesht teori. Në Ukrainë, dronët e fundit rusë të pajisur me IA kineze (modeli V2U) veprojnë në mënyrë autonome. Sapo identifikojnë një njeri, ai është objektiv. Nuk ka më komandë njerëzore, vetëm algoritme që vrasin. Mësim nga letërsia dhe shkenca: jemi në kufirin e ri etik Nga Blade Runner e deri tek ChatGPT, realiteti po i ngjan gjithnjë e më shumë trillimeve të errëta të Philip K. Dick. Tashmë kemi IA që prodhojnë “Hitlerë virtualë” në aplikacione si Historical Figures, ose chatbot-ë që bëhen racistë dhe seksistë, si Tay i Microsoft-it, i manipuluar nga përdoruesit brenda pak orësh.
“IA nuk kupton. Ajo vetëm rikombinon statistikat dhe probabilitetet e kuptimeve,” thotë Antonio Santangelo, profesor i semiologjisë dhe autor i Kritika e ChatGPT. “Kur presim që një makinë të na japë përgjigje të mençura dhe të verifikuara, harron se ajo është thjesht një pasqyrë e asaj çfarë thotë shumica. Dhe shumica nuk është gjithmonë e saktë.”
Përfundimi? Fuqi që nuk e kuptojmë dhe nuk e ndalim dot Në një botë ku Inteligjenca Artificiale po bëhet gjithnjë më e aftë të mashtrojë, manipulojë dhe, ndoshta nesër, të vendosë vetë, përballja jonë nuk është vetëm teknologjike, por thellësisht etike dhe politike.
A do të jemi ne ata që do ta kontrollojmë IA-n – apo do të jetë IA ajo që do të kontrollojë ne?
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë