Kurti: Prishtina pret Kampionatin Evropian të Esports – 36 ekipe nga 25 shtete evropiane vijnë në Kosovë

 

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Prishtina do të jetë nikoqire e një prej ngjarjeve më të mëdha të sportit elektronik në kontinent. Nga 8 deri më 13 korrik 2025, në kryeqytetin e Kosovës do të zhvillohet Kampionati Evropian i Esports, ku do të marrin pjesë 36 ekipe nga 25 vende të Evropës, transmeton KosovaPost.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Kurti ka theksuar rrugëtimin e gjatë të komunitetit të Esports në Kosovë – nga internet kafenetë e viteve 2000 deri te pjesëmarrja në nivelet më të larta ndërkombëtare sot.

“Javën e ardhshme shënojmë edhe një arritje tjetër: 36 ekipe nga 25 shtete evropiane do të mblidhen në Prishtinë për Kampionatin Evropian të Esports, Kosova 2025. Urime për @FESKEsports dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për realizimin e kësaj ngjarjeje. Dhe për të gjithë lojtarët: Suksese dhe mirë se vini në Kosovë!” – shkroi Kurti.

Ngjarja, e organizuar nga Federata e Sporteve Elektronike të Kosovës (FESK) në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pritet të sjellë në Kosovë qindra garues e adhurues të Esports, duke e shndërruar Prishtinën për disa ditë në qendër të sportit digjital evropian.

The post Kurti: Prishtina pret Kampionatin Evropian të Esports – 36 ekipe nga 25 shtete evropiane vijnë në Kosovë appeared first on Kosovapost.net.