Ter Stegen shfaqet në horizontin zikaltër, gjermani mund të zëvendësojë Sommer

Marc-André ter Stegen mund të jetë pasardhësi i Yann Sommer në portën e Interit. Sipas asaj që raporton katalanasja “Sport”, portieri gjerman është në marrëdhënie të tendosura me Barcelonën. Me ardhjen e Joan Garcia dhe transferimin (rinovimin) e Szczesny, ai ka përfunduar praktikisht në rolin e portierit të tretë, gjë që e ka shtyrë të mendojë seriozisht largimin.

Interi po ndjek me vëmendje situatën dhe e ka futur profilin e gjermanit në listën e mundshme të pasardhësve të Sommer, në rast se zvicerani vendos të pranojë ofertën joshëse të Galatasaray. Po sipas “Sport”, portieri Ter Stegen do të ishte i gatshëm të pranonte një ofertë nga zikaltërit, duke parë që projekti i Interit përputhet me ambiciet e tij: të vazhdojë të luajë në nivelet më të larta dhe të jetë protagonist në Champions League.

Edhe pse ka kontratë me Barcelonën, që skadon në vitin 2028, klubi katalanas do të ishte gati të gjente marrëveshje për zgjidhjen e saj, për ta lënë të lirë të firmosë me një ekip të ri si lojtar i lirë.

Ter Stegen, 33 vjeç, do t’i garantonte Interit eksperiencën që do të humbiste me largimin e Sommer. Portieri gjerman, pjesë e Barcelonës që nga viti 2014, ka fituar gjithçka me blaugranat, përfshirë një Champions League dhe 6 tituj të La Liga-s. Ai numëron 44 ndeshje me kombëtaren e Gjermanisë, ka qenë titullar edhe në “final four” e fundit të “Nations League”.

The post Ter Stegen shfaqet në horizontin zikaltër, gjermani mund të zëvendësojë Sommer appeared first on Telesport.