Ka nisur zyrtarisht epoka e re e Milanit. Me testet fizike dhe mjekësore të zhvilluara dje në Milanello, ka rifilluar, pas shumë vitesh, periudha e Allegrit në pankinën kuqezi. Në Milanin e “Allegri 1” ishte edhe Massimo Ambrosini, që me ish-trajnerin e Juventusit fitoi titullin kampion në vitin 2011. Pikërisht ish-mesfushori ka folur për “Gazzetta dello Sport” lidhur me zgjedhjen e “Djallit” për t’ia besuar sërish stolin trajnerit nga Livorno:
“Unë jam nostalgjik nga natyra dhe kur kujtoj momentet e bukura të së kaluarës, bëhem i ndjeshëm. I uroj të ketë të njëjtin ndikim që pati me ne dhe jam i bindur se kështu do të jetë. Në dritën e asaj që ndodhi sezonin e kaluar, më duket një zgjedhje shumë e drejtë. Asnjë zgjedhje nuk të jep siguri për fitore apo rezultate, por Max do t’i japë skuadrës një ndjesi përgjegjësie”.
Fjalë të mira Ambrosini ka pasur edhe për Igli Taren, drejtorin e ri sportiv i Milanit, që do të ketë si detyrë forcimin e skuadrës dhe rikthimin e Milanit pas një sezoni negativ, ku kuqezinjtë mbetën jashtë kompeticioneve europiane dhe humbën finalen e Kupës së Italisë: “Tare e njeh futbollin dhe lojtarët, punon në terren dhe ka vite përvoje pas shpine. Është një person konkret, nuk shet iluzione”.
The post Ambrosini “bekon” Milanin e ri: Allegri, trajneri i duhur. Igli Tare është konkret, nuk shet iluzione appeared first on Telesport.