Kreu i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, u dorëzua dje në Gjykatën e Bosnjë dhe Hercegovinës në Sarajevë, pasi i kishte sfiduar autoritetet për më shumë se tre muaj.
Ai u mor menjëherë në pyetje në kuadër të rastit “sulmi ndaj rendit kushtetues të BiH”. Si rezultat, iu hoq masa e mëparshme e paraburgimit.
Sipas informacioneve nga Gjykata e BiH, Dodik shkoi në seancë në shoqërinë e avokatit, pasi kishte qenë në arrati për tre muaj e gjysmë. Ai po hetohet nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të sulmit ndaj rendit kushtetues. Meqenëse kishte refuzuar thirrjet e Prokurorisë së BiH për t’u paraqitur, ndaj tij ishte lëshuar urdhër arresti dhe ishte caktuar masa e paraburgimit për një muaj.
Tani kjo masë është hequr dhe ndaj tij është vendosur detyrimi për t’u paraqitur periodikisht në polici. Masat ndaluese mund të zgjasin për aq kohë sa ka nevojë ose deri në një vendim tjetër të Gjykatës së BiH, shkruan klix.ba.
Dodik konfirmoi pas marrjes në pyetje se kishte dhënë deklaratë sipas kërkesës së prokurorisë shtetërore.
“Pranova me vullnet të lirë të paraqitem në Gjykatën e BiH dhe pas një ore e gjysmë mora vendimin për heqjen e paraburgimit dhe heqjen e urdhrave për kërkim brenda dhe jashtë BiH. Sigurisht, ky është një proces që do të vazhdojë”, tha ai.
Politikani separatist serb sqaroi se ka detyrimin të paraqitet çdo 15 ditë në stacionin policor në Laktash afër Banja Llukës, ku është i regjistruar me vendbanim. Po ashtu, shtoi se “është i lodhur nga gjithçka”.
Përveç Dodikut, Prokuroria e BiH po heton edhe kryetarin e Kuvendit Popullor të Republikës Serbe, Nenad Stevandiq, dhe kryeministrin entitetit, Radovan Vishkoviq, për të cilët gjithashtu është lëshuar urdhër arresti dhe është caktuar paraburgim. Ata vazhdojnë të jenë në arrati dhe konsiderohen të shpallur në kërkim nga drejtësia.
The post Dodik u dorëzua pas tre muajsh në arrati – hiqen urdhër-arresti dhe masa e paraburgimit ndaj tij appeared first on Kosovapost.net.