Në prag të sfidës çerekfinale të Botërorit për Klube kundër PSG, trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, ka deklaruar: “Nëse do të isha një tifoz neutral, do të shkoja ta shihja këtë ndeshje. Do të paguaja për ta parë. PSG është një skuadër fantastike, nuk ka dyshim për këtë. Besoj se fjala kyçe është se janë skuadër e bashkuar. Nuk bëhet fjalë domosdoshmërisht vetëm për cilësinë individuale.
Nuk kam parë shumë skuadra që luajnë me intensitetin e tyre në çdo fazë të lojës. Edhe ne kemi qenë mjaft të mirë në gjëra të ngjashme, kemi instinkt për golin. Nuk është ajo lloj ndeshjeje ku e di se do të fitosh. Është një përballje ku e di se ke një mundësi, por duhet të jetë paraqitja jote më e mirë për suksesin. Kjo është në rregull, është ajo që duam. Po të isha ende në gjendje të luaja vetë, mezi do ta prisja këtë sfidë.
Skuadra si PSG të vënë në provë për gjithçka. Nëse përpiqesh ta shtypësh duke ushtruar presion me shumë lojtarë, ndoshta mund të krijosh një aksion pozitiv. Por në të njëjtën kohë, ata mund të jenë të rrezikshëm, sepse kanë lojtarë që dinë të mbajnë topin dhe mund të sulmojnë me shpejtësi. Edhe ne e kemi këtë qasje. Ndeshje të tilla luhen në fije të perit. Duhet të fitosh të drejtën për të pasur hapësirë, të fitosh të drejtën për të gjuajtur dhe madje të fitosh të drejtën për të rikuperuar topin”.
The post Kompany: PSG të vë në provë për gjithçka, ndeshje të tilla luhen në fije të perit appeared first on Telesport.