Proda: Bashkëpunimi me Kosovën, model suksesi në rajon

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Ilir Proda ka folur rreth bashkëpunimit me Policinë e Kosovës, lidhur me operacionet e njëpasnjëshme të zhvilluara për goditjen e grupeve që trafikojnë armë zjarri nga Kosova në Shqipëri.

Proda ka theksuar se këto operacione janë dëshmi e qartë se Policia e Shtetit është e pranishme, vigjilente dhe e vendosur për të garantuar sigurinë në çdo cep të vendit dhe se bashkëpunimi me Policinë e Kosovës është kthyer në model suksesi në rajon.

“Shpreh falënderimin dhe vlerësimin maksimal për strukturat e Policisë së Kukësit, për efektivët e patrullës, të Shqiponjave dhe specialistët e hetimit, të cilët, me profesionalizëm dhe angazhim të lartë, goditën një rast të trafikimit të armëve të zjarrit në sasi të mëdha, duke sekuestruar 8 armë zjarri të llojit pistoletë dhe vunë në pranga dy shtetas nga Kosova. Armët janë burimi kryesor i ngjarjeve kriminale, i krimeve ndaj jetës dhe pronës, si dhe një rrezik i vazhdueshëm për rendin publik. Çdo armë e ndaluar, në kufi apo në territorin tonë, është një jetë e shpëtuar. Rastet e shumta të armëmbajtjes pa leje, të goditura së fundmi në të gjithë vendin, flasin për një angazhim të palëkundur të Policisë së Shtetit. Çdo rrjet i çmontuar është një krim i parandaluar”, u shpreh drejtori i policisë.

The post Proda: Bashkëpunimi me Kosovën, model suksesi në rajon appeared first on Kosovapost.net.