Pas ditësh me lajme vetëm mediatike, kanë nisur kontaktet e para konkrete mes Galatasaray dhe Interit për Hakan Calhanoglu. Klubi turk ka bërë lëvizjet e para për mesfushorin dhe ka kërkuar informacionet fillestare nga zikaltërit, të cilët janë shprehur të gatshëm të respektojnë dëshirën e Calhanoglu për largim, por vetëm sipas kushteve të tyre. Kthimi në atdhe i Calha, i dëshiruar edhe nga babai i tij, që e do me fanellën e Galatasaray, është i ndërlikuar dhe varet nga disa faktorë, mbi të gjitha nga e ardhmja e Victor Osimhen.
Në Stamboll, të gjithë janë të çmendur pas Osimhen, që ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm, në huazim te Galatasaray. Në 29 ndeshje në Super Lig, sulmuesi nigerian ka realizuar 26 gola, duke e çuar Galatasaray drejt titullit të 25-të kombëtar, të tretit radhazi. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit ëndërrojnë rikthimin e tij në Stamboll dhe po përgatisin një ofertë të jashtëzakonshme: 20 milionë euro neto në sezon për lojtarin, plus 75 milionë euro për klauzolën e zgjidhjes së kontratës me Napolin.
Konkurrenca nuk mungon, Al Hilal është gati të ofrojë dyfishin e shumës për sulmuesin e Napolit, ndërsa Juventusi, në rast largimi të Vlahovic, do t’i ofronte nigerianit një projekt më të fortë sportiv. Derisa Osimhen të japë një përgjigje, Galatasaray nuk mund të paraqesë ofertë të rëndësishme për Calhanoglu. Nga pikëpamja ekonomike, nuk ka forcën për të realizuar dy operacione që do t’i kushtonin afërsisht 100 milionë euro vetëm për kartonët.
Interi është i hapur për shitjen e Calhanoglu, por vetëm sipas kushteve të tij. Pra, nuk ka ndërmend ta shesë për pak një titullar absolut, mungesa e të cilit u ndje shumë në Botërorin për Klube. Kërkesa e zikaltërve është rreth 30 milionë euro, por mund të ulet disi dhe të pranohet edhe një ofertë prej 25 milionë euro.
Ideja është të rinovohet mesfusha. Pas ardhjes së Sucic, Interi është i gatshëm ta lërë të largohet Calhanoglu dhe të zgjedhë një profil më të ri për ta vendosur përkrah Asllanit. Ish-lojtari i Empolit tregoi në Amerikë se nuk është ende gati për ta marrë rolin e Calha, prandaj Interi nuk dëshiron të gjendet i papërgatitur në merkato nëse turku largohet.
Për Calhanoglu nuk interesohet vetëm Galatasaray. Sirenat arabe kanë nisur të bien për ish-lojtarin e Milanit, me Inzaghin që do të ishte i gatshëm ta merrte tek Al Hilal, për të nisur sërish bashkë aventurën pas kapitullit të hidhur në Mynih.
Ëndrra e madhe e Interit në rast largimi të Calhanoglu është Ederson, por konsiderohet një ëndërr e shtrenjtë. Atalanta nuk dëshiron të zbresë nga vlerësimi prej 60 milionë euro, ndaj Interi duhet të mbledhë një thesar për t’i bindur bergamaskët. Përveç Calhanoglu, mund të sakrifikohet edhe Davide Frattesi. Me ardhjen e Sucic, trajneri Chivu ka pesë mesfushorë për dy vende.
Duke marrë parasysh se Barella dhe Mkhitaryan janë të pashitshëm, Interi mund të mendojë të sakrifikojë ish-lojtarin e Sassuolos, duke mbajtur Zielinskin dhe Sucic si alternativa. Për Frattesi ka interes Atletico Madridi, me Interin të gatshëm ta lërë të largohet për 35 milionë euro.
Shumë e cila, së bashku me atë për shitjen e Calhanoglu, mund të mjaftojë për ta bindur Atalantën, edhe pse për momentin operacioni i Ederson mbetet shumë i vështirë. Në sfond është edhe Richard Rios, i ofruar ditët e fundit dhe protagonist i madh në Botërorin për Klube me Palmeiras, që e mbylli aventurën me eliminimin ndaj Chelsea në çerekfinale.
The post Galatasaray-Inter, nisin kontaktet e para për Calhanoglu. Gjithçka kushtëzohet nga… Osimhen appeared first on Telesport.