Një vajzë 10-vjeçare u sulmua nga qentë endacakë në oborrin e QKUK-së, duke pësuar lëndime dhe traumë. Babai i saj, Avni Gashi, fajëson institucionet për mungesë sigurie dhe reagimi, dhe kërkon përgjegjësi dhe masa për mbrojtjen e qytetarëve. Komuna dhe QKUK nuk kanë komentuar për rastin.
Kafshim, gërvishtje e edhe një përvojë traumatike.
Këtë e përjetoi vajza 10-vjeçare e Avni Gashit kur u sulmua një ditë më parë nga qentë endacakë para klinikës ku po merrte trajtim, atë të Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit.
Një ditë më pas, gjersa trajtimin po e vazhdon në Klinikën e Kirurgjisë, Gashi thotë se përvoja ishte e rëndë.
”E pruna vajzën me u shëru, e hangër qeni midis spitalit. E thirra policinë, s’erdhën, thanë se s’kemi pse dalim në terren, punë e kryen emergjenca. Dua të di për shtetin tonë a ma me rëndësi janë qentë e njerëzit. Ndoshta s’ka qenë shumë e lënduar po ka marrë traumë, ushtrimet për të cilat erdhi tash s’mundet t’i bëjë”, ka thënë Avni Gashi, prind i vajzës që u sulmua.
Gashi thotë se nuk kërkon asnjë lloj kompensimi gjersa shprehet i shqetësuar për të gjithë ata që adresë për ndihmë e kanë Qendrën Klinike Universitare
”Kurrfarë ndihme hiç. Kërkesa ime është të më përgjigjen, a jemi më me rëndësi ne populli a qentë për qeverinë tonë, për komunën e Prishtinës. S’kërkoj kompensim, kërkoj të ketë siguri qytetare. Sot pësoi vajza jem nesër mund të pësojë vajza e dikujt tjetër. Përvojë e rëndë për vajzën po ç’ka me bo tash, kalojnë këto po ne po jetojmë në një shtet formal”, ka thënë Avni Gashi, prindi i vajzës që u sulmua.
I zhgënjyer me gjithë situatën, ai nuk ka ndërmend të ndjekë asnjë rrugë ligjore.
”Jam tepër i zhgënjyer, tepër! S’kanë marrë kurrfarë mase. Policia më tha bëji padi komunës. Si kam kushtet për me e padit komunën, komuna duhet të dërgojë dikë ta shoh rastin nga afër”, ka thënë Avni Gashi, prind i vajzës që u sulmua.
Por për këtë rast, të dyja institucionet, kanë zgjedhur të heshtin./RTV Dukagjini/
The post Shkoi për trajtim, vajza 10-vjeçare su*lmohet nga qentë endacakë në QKUK appeared first on Kosovapost.net.