Vetëm 12 ditë më parë, Diogo Jota dhe Rute Cardoso përjetuan atë që e quanin “ëndrra e bërë realitet”. Pas më shumë se një dekade dashuri, ata thanë “po” në qytetin e tyre të lindjes, Porto, duke kurorëzuar një histori që kishte nisur që në bankat e shkollës së mesme.
Ishte një ditë e paharrueshme, e mbushur me buzëqeshje, shpresë dhe plane për të ardhmen. Sot, e sapomartuara 28-vjeçare, përballet me një realitet që askush nuk mund ta kishte imagjinuar: një jetë pa dashurinë e saj të fëmijërisë, me tre fëmijët e tyre të vegjël në krahë.
E enjtja fatale i mori jetën Diogos dhe vëllait të tij, André Silva. Lamborghini me të cilin po udhëtonin doli nga rruga në provincën e Zamorës dhe shpërtheu në flakë, duke shuar në çast dy jetë të reja e plot ëndrra. Fotot e dasmës së tyre janë ende të freskëta, kujtime të një fillimi që u kthye tragjikisht në fund.
Historia e Diogo dhe Rutes ishte një rrugëtim i vërtetë bashkëjetese, mbështetjeje dhe dashurie. Ata u njohën si adoleshentë në shkollën e mesme në Porto dhe nisën të dilnin në tetor 2012. Që atëherë, Rute ishte në çdo hap pranë Diogo; kur debutoi në ekipin e parë të Pacos de Ferreira në moshën 18 vjeç, kur nënshkroi për Atletico Madridin në moshën 20 vjeç, kur eci përpara në karrierën e tij, gjithnjë me ëndrrat e përbashkëta.
Në vitin 2020, jeta e tyre mori një kthesë të re. Vetëm një muaj para se Diogo të bashkohej me Liverpool-in, ata ndanë lajmin se prisnin fëmijën e parë. Në shkurt 2021 erdhi në jetë Dinis, djali i tyre. Pak vite më vonë, në mars 2023, familja u zgjerua me një tjetër djalë, Duarte. Në nëntor 2024, lumturia e tyre u plotësua me ardhjen në jetë të vajzës.
Rute shpesh ndante me ndjekësit në rrjetet sociale momente nga jeta e tyre: brohoritjet në stadium për Diogon, lumturinë e vogëlushëve, përditshmërinë e një familjeje që dukej e bekuar. Kurorëzimi i kësaj dashurie erdhi më 22 qershor 2025, në një ceremoni që Diogo e përshkroi si “një ditë që nuk do ta harrojmë kurrë”.
Por sot, kujtimet janë gjithçka që mbetet. Një histori dashurie e rrallë, e cila, edhe pse e ndërprerë tragjkisht dhe dhimbshëm, do të jetojë përgjithmonë në zemrat e atyre që e njohën. Një dashuri e pastër, e vërtetë, që as koha, as humbja nuk do të mund ta fshijnë.
The post U dashuruan që në bankat e shkollës…. Historia prekëse e dashurisë së Jota dhe Rute Cardoso, që u ndërpre tragjikisht appeared first on Telesport.