Milani, të hënën nis zyrtarisht epoka e dytë e Allegrit. Nga konferenca e prezantimit te stërvitja e parë

Të hënën, më 7 korrik, në orën 13:00, do të nisë zyrtarisht “Allegri-bis”. Aventurës së dytë të trajnerit toskan me fanellën kuqezi do t’i jepet starti në “Casa Milan” me konferencën për shtyp të prezantimit, ndërsa pasdite është parashikuar stërvitja e parë në terren të hapur.

Seanca e zakonshme (që do të nisë nga ora 18:00) do të zhvillohet në qendrën sportive të Carnago-s, ku nuk është ende e sigurt prania e tifozërisë së organizuar pas një sezoni të kaluar shumë zhgënjyes. Morali është në nivelin më të ulët dhe lëvizjet në merkato të drejtorit sportiv Igli Tare nuk kanë ndihmuar për ta ndryshuar situatën.

Në “Milanello” do të jetë i pranishëm edhe Samuele Ricci, i mbërritur të mërkurën në qytet, por jo Luka Modric dhe Santiago Gimenez, të vetmit që do t’i bashkohen grumbullimit me vonesë për shkak të angazhimeve të tyre përkatësisht me Real Madridin dhe Meksikën. Ndryshe qëndron çështja për Bennacer dhe Theo Hernandez.

Pushimet e të dyve do të zgjasin, në pritje që të konkretizohen shitjet e tyre. Mbrojtësi i majtë francez, në veçanti, është në pritje që largimi drejt Al Hilal të bëhet zyrtar. Së fundi, është kurioz edhe rasti i Yacine Adli, i rikthyer nga huazimi te Fiorentina. Për Allegrin, mesfushori është jashtë projektit dhe do të stërvitet me “Milan Futuro”, nën drejtimin e Massimo Oddo.

Vera e Milanit do të përbëhet nga pesë miqësore nëpër botë: do të nisë me Arsenal-Milan (më 23 korrik, në Singapor), për të vijuar tri ditë më pas në Hong Kong me një tjetër përballje me shije angleze kundër Liverpool-it. Më 31 korrik, Maignan dhe shokët e tij do të përballen me Perth Glory, më pas dy miqësore brenda dy ditësh.

Më 9 dhe 10 gusht kuqezinjtë do të përballen me Leeds dhe Chelsea. Debutimi në kampionat është planifikuar për më 23 gusht (ora 20:45) kundër Cremoneses, teksa do të paraprihet nga ndeshja e parë zyrtare e sezonit në Kupën e Italisë, pra me Barin më 17 gusht në “San Siro”.

The post Milani, të hënën nis zyrtarisht epoka e dytë e Allegrit. Nga konferenca e prezantimit te stërvitja e parë appeared first on Telesport.