Putin bisedon me Trumpin: Negociatat në Stamboll mes Rusisë dhe Ukrainës “do të mbeten bilaterale”

Sipas këshilltarit të Kremlinit, Yuri Ushakov, presidenti rus, Vladimir Putin, i tha homologut të tij amerikan, Donald Trump, se negociatat për paqe ndërmjet Moskës dhe Kievit në Stamboll “do të mbeten bilaterale,” transmeton Anadolu.

“Ne nisemi nga fakti dhe mendoj se pala amerikane e kupton shumë mirë, që negociatat do të jenë të natyrës bilaterale ndërmjet përfaqësuesve të Rusisë dhe Ukrainës,” u tha gazetarëve Ushakov pas një bisede telefonike 1-orëshe mes Trump-Putin.

Ushakov gjithashtu tha se Putin e informoi gjithashtu Trumpin se Moska është e përgatitur të zhvillojë një raund të tretë bisedimesh të drejtpërdrejta me Ukrainën, megjithëse liderët nuk diskutuan për data apo kushte konkrete.

Ai shtoi se presidenti rus e informoi gjithashtu homologun amerikan mbi zbatimin e marrëveshjeve humanitare të mëparshme të arritura midis Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll.

“Ai (Putini) e informoi (Trumpin) mbi ecurinë e zbatimit të marrëveshjeve të Stambollit, të cilat u arritën gjatë raundit të dytë të kontakteve të drejtpërdrejta ruso-ukrainase,” tha Ushakov për gazetarët.

Ai theksoi se derisa një raund i tretë negociatash mbetet në tryezë, “përmbajtja specifike e një raundi të mundshëm të tretë nuk u diskutua”.

“Presidenti ynë deklaroi se jemi të gatshëm të vazhdojmë procesin e negociatave,” shtoi ai.

Dy raundet e para të bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës u zhvilluan në Stamboll, duke rezultuar me një shkëmbim të të burgosurve dhe dorëzimin e trupave të ushtarëve të rënë në Kiev. U shkëmbyen gjithashtu memorandume të projekt-dokumenteve për zgjidhjen e konfliktit.

– Putin riafrimon gatishmërinë për të vazhduar bisedimet për Ukrainën

Më tej, Ushakov tha se presidenti Putin riafirmoi gatishmërinë e Moskës për të vazhduar negociatat për paqe me Ukrainën gjatë telefonatës me Trumpit.

Ushakov u tha gazetarëve se biseda zgjati rreth një orë dhe se Putin i tha Trumpit se Moska do të kërkojë të eliminojë shkaqet rrënjësore të luftës në Ukrainë dhe “nuk do të tërhiqet” nga objektivat e saj.

Ai shtoi se të dy presidentët diskutuan gjithashtu rreth situatës në Iran dhe Lindjen e Mesme në përgjithësi, duke theksuar se Rusia përmendi rëndësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve nëpërmjet mjeteve diplomatike.

“U ra dakord që kontaktet mbi këtë çështje të vazhdojnë nëpërmjet departamenteve të politikës së jashtme, ministrive të mbrojtjes dhe këshilltarëve presidencial”, tha Ushakov, duke theksuar se u diskutuan gjithashtu zhvillimet në Siri.

“Edhe në këtë fushë, pala ruse dhe ajo amerikane do të vazhdojnë dialogun në një mënyrë të ngjashme”, shtoi ai, duke bërë të ditur se Putin e uroi Trumpin me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së.

Këshilltari presidencial gjithashtu tha se Trump ngriti çështjen e përfundimit sa më të shpejtë të veprimeve ushtarake në Ukrainë.

Autoritetet amerikane ende nuk kanë komentuar mbi telefonatën.

The post Putin bisedon me Trumpin: Negociatat në Stamboll mes Rusisë dhe Ukrainës “do të mbeten bilaterale” appeared first on Kosovapost.net.