Osmani u kërkon partive të gjejnë rrugëdalje për konstituimin e Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të ciklit të ri të konsultimeve lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO124/25, ka mbajtur sot takimet konsultative me liderë të partisë: Guxo, Alternativa, ZSP, KDTP, IRDK, SDS, JGS, PREBK, NDS dhe Koalicionit VAKAT, transmeton KosovaPost.

Sipas njoftimit nga Presidenca, Osmani ka ritheksuar se zbatimi i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është obligim kushtetues dhe ky aktgjykim ka sqaruar se konstituimi i Kuvendit brenda 30 ditësh është detyrim e jo opsion.

“Më tej, Presidentja Osmani ka përsëritur thirrjen ndaj liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të gjendet rrugëdalja për konstituimin e Kuvendit”, thuhet në njoftim.

Presidentja  Osmani nënvizoi se mungesa e legjislativit po krijon një vakuum institucional që shkakton erozion të demokracisë dhe dëmton funksionimin e shtetit.

Tutje theksohet se në rolin e saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit në Republikën e Kosovës, presidentja Osmani do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në parlament edhe përgjatë ditëve në vijim.

The post Osmani u kërkon partive të gjejnë rrugëdalje për konstituimin e Kuvendit appeared first on Kosovapost.net.