“Guardia Civil” spanjolle konfirmoi, në një komunikatë verbale që BBC ka transkriptuar, vdekjen e Diogo Jotës dhe vëllait të tij, André Silva, futbollistit të Penafiel. Në këtë deklaratë, autoritetet spanjolle zbuluan një shpjegim të parë për aksidentin që mori jetën e ndërkombëtarit portugez të Liverpool-it.
“Informacioni që kemi deri tani është se makina, një Lamborghini, pësoi aksident trafiku dhe doli nga rruga për shkak të shpërthimit të një gome gjatë një manovre parakalimi. Ngjarja ndodhi në orën 00:30 (ora portugeze), në komunën e Cernadilla, në provincën Zamora. Makina u përfshi nga zjarri dhe të dy pasagjerët brenda saj vdiqën”.
Kur u pyetën për identitetin e pasagjerëve dhe nëse njëri prej tyre ishte Diogo Jota, “Guardia Civil” konfirmoi: “Po, futbollisti i Liverpool-it dhe vëllai i tij, André Silva”.
Bota e sportit u zgjua e tronditur nga lajmi i vdekjes së Diogo Jota dhe vëllait të tij. Reagimet për humbjen e futbollistit të Liverpool-it vijnë nga të gjitha anët, ndërsa klubi i “Anfield” gjithashtu ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të lojtarit. Diogo Jota ishte martuar me Rute Cardoso muajin e kaluar, më 22 qershor, partneren me të cilën pati tre fëmijë.
The post Plasi goma dhe makina u shkrumbua nga flakët…; ja si humbën jetën tragjikisht vëllezërit Jota appeared first on Telesport.