Dështimi i 41-të, Kuvendi i Kosovës mbetet në bllokadë

Përpjekja e 41-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjen e Kryetarit të tij përfundoi me dështim, duke shtyrë edhe më tej formimin e institucioneve të reja.

Pas disa muajsh, bllokada politike që vijon nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, partitë politike nuk kanë arritur akoma të gjejnë marrëveshje për funksionimin e Kuvendit.

As kësaj radhe nuk pati kuorum të mjaftueshëm për formimin e Komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Nga 99 deputetë të pranishëm vetëm 54 prej tyre votuan pro, abstenim dhe kundër nuk pati pasi që pjesa tjetër nuk morën fare pjesë në votim.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lista Serbe dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA sërish nuk propozuan emrat për anëtarë të këtij komisioni.

Si rrjedhojë seanca dështoi për të vazhduar të shtunën në orën 11:00.

Ky dështim i vazhdueshëm po rëndon situatën politike dhe ekonomike në vend, ndërsa qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile kërkojnë me ngulm zgjidhje dhe përfundim të bllokadës.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që procesi i konstituimit duhet të përfundojë brenda një muaji.