Rritemi duke i ndjekur me sytë e zemrës. I shohim si idhuj, si figura të paarritshme që zbresin në fushë dhe bëjnë mrekulli me topin, duke na dhënë gëzim, shpresë dhe ëndrra përmes lojës së tyre. Lajmi i dhimbshëm për vdekjen tragjike të Diogo Jotës e ka thyer këtë iluzion. Ai na rikujtoi se edhe ata janë njerëz, djem dhe burra me emocione, me familje dhe me jetën përpara, jo superheronj të pavdekshëm.
Të humbasësh dikë në moshën 28-vjeçare, kur jeta sapo ka filluar dhe ëndrrat janë në kulmin e tyre, është një goditje që ta shkund thellë shpirtin. Imagjinoni sot përjetimin e familjes së futbollistit të Liverpool-it, bashkëlojtarëve të tij, kolegëve të fushës së blertë në mbarë golbin! Humbja e një njeriu, mbi të gjitha, aq më tepër e një futbollisti në mënyrën më tragjike, bashkë me vëllain, me të cilin ka ndarë gjithçka, është dhimbje e pamundur të përshkruhet me fjalë. Diogo sapo ishte martuar, kishte nisur një kapitull të ri në jetën e tij, një jetë që tani nuk do të jetë më e mundur për ta përjetuar.
Mendojmë për familjen e tij, gruan që sapo i tha “po”-në më të rëndësishme në jetë, për tre fëmijët e tyre, për prindërit që humbën dy djem në të njëjtën kohë. Mendojmë për shokët e tij te Liverpool-i, për të gjithë ata që ndanë fushën me të, që ndanë dhimbjen dhe gëzimin e tij, për ata që tani po përballen me një boshllëk të madh në zemër. Mendojmë për tifozët që e adhuronin, për ata që gjenin te Diogo frymëzim dhe krenari, por tani ndiejnë një dhimbje të thellë. Me të vërtetë një humbje që nuk mund të zëvendësohet.
Kjo tragjedi na tregon se jeta është e brishtë, e papritur dhe e paqartë. Na fton të vlerësojmë më shumë momentet që kemi, njerëzit që duam dhe atë që na bën të lumtur. Humbja e Diogo Jota dhe vëllait të tij, po futbollist, është një plagë e thellë në botën e sportit, por edhe më shumë në zemrat tona si tifozë. Nuk do të harrohet kurrë. Dhimbja është e madhe, por kujtimi i tij dhe ajo që la pas do të qëndrojë përgjithmonë në historinë e futbollit dhe në zemrat e atyre që e njohën dhe e donin.
Në këto momente tronditjeje, qëndrojmë me familjen, me miqtë dhe me të gjithë ata që ndjejnë dhimbjen e humbjes së Diogo. Qoftë kjo një thirrje për dashuri, kujdes dhe vlerësim më të madh ndaj jetës e njerëzve të dashur. Lutemi për paqen e amshuar të shpirtit të dy vëllezërve Jota. Nuk do të harroheni kurrë!
Tragjedia e Diogo Jota… U martua vetëm 11 ditë më parë me Rute Cardoso, nënën e tre fëmijëve të tij
The post Futbollisti, burri, vëllai…, vdekja tragjike e Diogo Jota dhe vëllait copëton çdo zemër! appeared first on Telesport.