Këngëtari i njohur Lewis Capaldi ka treguar hapur ndjenjat e tij pas rikthimit prekës në muzikë, pas një pauze dyvjeçare.
Artisti 28-vjeçar nga Skocia, i cili për një kohë të gjatë u tërhoq nga skena për shkak të lodhjes emocionale dhe shëndetësore, është rikthyer fuqishëm në qendër të vëmendjes – dhe këtë e dëshmoi me performancën e tij triumfale në skenën e Glastonbury-t gjatë fundjavës së kaluar.
Në një video prekëse të publikuar në rrjetet sociale, Lewis ndau me ndjekësit e tij ndjenjat që përjetoi gjatë kësaj kohe sfiduese, si dhe emocionet që shoqëruan rikthimin e tij, shkruan The Sun.

“Po ta përshkruaja me një fjalë si ndihem tani, do të thoja: spektakular,” u shpreh ai me zemër të hapur.
Duke u rikthyer në kujtimet nga performanca e tij në Glastonbury në vitin 2023, Lewis rrëfeu: “Kjo duhet të ishte një nga momentet më të lumtura në jetën time… por nuk ishte”.
“E kisha përmbushur ëndrrën time – si në një film për një djalosh që ëndërron të bëhet këngëtar e të performojë para turmës. E arrita. Por kur mbaroi ‘filmi’, nuk ishte ashtu siç e kisha menduar”.
Ai shtoi: “Të gjithë po këndonin me mua… por unë ndihesha sikur isha mijëra kilometra larg. Kur e pashë përsëri videon, ndjeva trishtim”.

“Që në këngën e dytë mendova me vete: kjo duhet të jetë e fundit. Nuk mund t’ia bëj më këtë vetes”.
Lewis tregoi se pauza që mori nuk ishte vetëm për t’u përmirësuar emocionalisht, por thjesht sepse kishte nevojë për pushim dhe për të ulur presionin e madh që kishte mbi supe.“Nuk u shkëputa për të punuar me veten,” tha ai. “U shkëputa sepse thjesht kisha nevojë për një pushim, për të çliruar pak trysninë”.
Në videon që shoqëroi rrëfimin e tij, Lewis përfshiu pamje nga fëmijëria, ku shfaqej duke kënduar plot ëndrra dhe pasion për muzikën. Ai e shoqëroi videon me përshkrimin prekës:
“Ka qenë çmenduri ta shikoj gjithë këtë rrugëtim mbrapa. Faleminderit që ende jeni këtu”.
Përkrahësit e tij reaguan menjëherë me komente emocionale.

“Ti nuk ke ide sa mirë është të të shohim sërish! Na ke munguar tmerrësisht, Lewis!” shkroi një fans. Një tjetër komentoi: “Ndjej sikur u largove si djalosh dhe u ktheve si burrë. Nuk besoja se mund të bëheshe më i mirë, por tani ke fituar një karizmë të pjekur dhe të dashur. Jam këtu për këtë!”
Një fans tjetër e quajti: “Lewis Capaldi – zemra e kombit tonë”.
Ndërsa një tjetër shkroi plot emocione: “Dhe… po qaj sërish. Ne nuk do të largoheshim kurrë, Lewis. Do të prisnim edhe 20 vjet po të duhej. Ta thamë që do të ishim këtu kur të ishe gati për t’u kthyer – dhe ja ku jemi. Të duam dhe duam të të shohim të lumtur, çfarëdo forme që të ketë suksesi për ty”.
Një tjetër fans e përmbylli: “Na ke munguar shumë. Je i jashtëzakonshëm, i talentuar, i guximshëm dhe një qenie njerëzore e mrekullueshme”.

Më 27 qershor 2025, Lewis u ngjit në skenën e Glastonbury-t dhe u prit me brohoritje nga mbi 100 mijë adhurues, në një atmosferë krejtësisht ndryshe nga dy vite më parë.
Ai prezantoi këngën e tij të re, “Survive”, dhe me entuziazëm tha para turmës: “Unë jam Lewis Capaldi dhe jam kthyer fuqishëm, o njerëz!”.
Kjo paraqitje e lavdishme ndodhi pikërisht dy vite pas momentit të vështirë në të njëjtën skenë, ku ai ishte detyruar të ndërpriste koncertin për shkak të simptomave të sindromës Tourette.
Tashmë, Lewis ka paralajmëruar një tur të madh koncertesh nëpër arena nga shtatori, ku do të performojë në qytete si: Sheffield, Aberdeen, Glasgow, Londër, Manchester, Birmingham, Nottingham, Cardiff dhe Dublin, nga data 7 deri më 29 shtator.
