FIFA mban në fuqi rregullin për lojtarët dhe trajnerët që janë në Ukrainë dhe Rusi

FIFA sapo ka njoftuar se do të vazhdojë të zbatojë rregulloren e jashtëzakonshme, që është në fuqi nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, sipas së cilës lojtarët dhe trajnerët mund t’i pezullojnë kontratat me klubet ukrainase dhe ruse. Kjo vendim u mor pas konsultimeve me palët kryesore të interesuara në futboll.

Duke pasur parasysh luftën e vazhdueshme në Ukrainë, Zyra e Këshillit të FIFA-s ka vendosur të zgjatë zbatimin e Aneksit 7 të Rregullores për Statusin dhe Transferimin e Lojtarëve deri më 30 qershor 2026.

Kjo zgjatje siguron mbështetje të vazhdueshme rregullatore për lojtarët, trajnerët dhe klubet e prekur nga konflikti dhe reflekton angazhimin e FIFA-s për të mbrojtur stabilitetin dhe integritetin e sistemit të futbollit në kushte të jashtëzakonshme. Vendimi u mor pas konsultimeve të gjera dhe dialogut konstruktiv me palët e interesuara, duke përfshirë federatat anëtare të FIFA-s, ligat, klubet dhe përfaqësuesit e lojtarëve.

Sipas dispozitave të zgjatura, lojtarët dhe trajnerët e huaj kanë të drejtë të pezullojnë në mënyrë të njëanshme kontratat e tyre me klubet e regjistruara në Federatën e Futbollit të Ukrainës ose në Bashkimin e Futbollit të Rusisë deri më 30 qershor 2026. Për ta ushtruar këtë të drejtë, ata duhet t’i njoftojnë klubet e tyre me shkrim të paktën deri më 1 gusht 2025.

Ky afat siguron që këto vendime të merren në kohë dhe në mënyrë transparente, duke ndihmuar në parandalimin e abuzimeve dhe siguruar qartësi ligjore për të gjitha palët. Aneksi 7 u prezantua në mars 2022.

The post FIFA mban në fuqi rregullin për lojtarët dhe trajnerët që janë në Ukrainë dhe Rusi appeared first on Telesport.