David te Juventusi, flet ish-trajneri i tij: Serie A është ideale për të, më kujton Trezeguet

Jonathan David do të jetë pika e re e referimit në sulmin e Juventusit. E kush më mirë se Jocelyn Gourvennec, trajneri që e hodhi në fushë për herë të parë te Lille, mund të tregojë cilësitë e tij? I intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”, trajneri francez ka thënë fjalë të mëdha për kanadezin: “Jonathan është një dhuratë për çdo trajner, Tudor do ta kuptojë shumë shpejt. Juventusi është klubi i duhur për të”.

Sipas Gourvennec, Serie A përfaqëson sfidën ideale: “Është një kampionat i fortë, ndoshta më i vështiri për një sulmues. Por pikërisht për këtë do ta kuptoni shpejt vlerën e tij. Është konkurrues, ambicioz dhe përshtatet në mënyrë perfekte me parimet e Juventusit”.

David përshkruhet si një lojtar i fortë edhe jashtë fushe: “Është ultra-profesional, nuk ka luhatje humori dhe mendon vetëm të punojë. Nuk flet shumë, por jep gjithmonë gjithçka. Në fushë është një motor i pandalshëm; bën presing, lëviz me inteligjencë, krijon hapësira, sakrifikohet për shokët”.

Ish-trajneri i Lille e krahason me të mëdhenjtë e së kaluarës: “Ka nuhatjen për gol të Trezeguet, por është shumë më i lëvizshëm. Shkëputet nga mbulimi, futet në zonë, hapet në krahë. Pra, pak si Pippo Inzaghi. Jo për stilin, por për ndjesinë e momentit të duhur”.

Së fundi, një pikë ku duhet të përmirësohet: “Mund të rritet në finalizim. I ndodh të humbasë ndonjë rast, por ka talentin dhe kokën e duhur për t’u bërë lojtar i madh edhe në Serie A, si Thuram tek Interi”.

The post David te Juventusi, flet ish-trajneri i tij: Serie A është ideale për të, më kujton Trezeguet appeared first on Telesport.