Di Maria, përshëndetja e fundit: Po kthehem në shtëpi, karriera ime në Europë ka përfunduar. Në 18 vite…

“Sot është dita kur kthehem në shtëpi, karriera ime në Europë ka përfunduar”. Kështu e nis letrën prekëse Ángel Di María, publikuar në profilet e tij sociale, pasi përshëndeti përfundimisht Benfica, pas eliminimit nga Kupa e Botës për Klube dhe u nis drejt Rosarios për të përqafuar shtëpinë (familjen) dhe firmosur me klubin e fëmijërisë, Central, si lojtar i lirë.

“Fideo”, 37 vjeç, vijoi: “Kanë kaluar shumë vite, kam kaluar në shumë klube dhe largohem i mbushur, plot me përvoja të përjetuara, të paharrueshme. Kanë qenë 18 vite në Europë, gjatë të cilave jo vetëm që pata kënaqësinë të jetoja në qytete të mrekullueshme, por edhe të isha pjesë e klubeve të mëdhenj, të njihja njerëz të jashtëzakonshëm.

Jam mbushur me miq që do t’i mbaj përherë në zemër. Çdo moment i jashtëzakonshëm që kam jetuar ka kontribuar në formimin e personit që jam sot. Edhe rrëzimet, lotët, zemërimi, ngritja dhe vazhdimi përpara kanë qenë pjesë e rrugëtimit tim të rritjes, si futbollist ashtu edhe si njeri, pa asnjë dyshim”.

Veterani argjentinas ka një mendim edhe për klubet e tjera ku ka luajtur, përfshirë edhe atë bardhezi: “Nuk do të lodhem kurrë duke falënderuar çdo klub ku kam qenë, për gjithçka që kanë bërë për mua: Benfica, Real Madrid, Manchester United, PSG dhe Juventus, për ndihmën që më dhanë të rritem si futbollist dhe si njeri.

Në çdo klub pata fatin të takoja shokë të shkëlqyer dhe anëtarë të stafit (kuzhinierë, magazinierë, fizioterapistë, mjekë dhe të gjithë ata njerëz që askush nuk i sheh apo i njeh, por që punojnë pa pushim për të na ndihmuar), të cilët nuk do t’i harroj kurrë”.

Letrën e mbyll kështu: “Në vitin 2007 mbërrita shumë i ri në Europë, me prindërit dhe motrat e mia, plot frikëra, pasigurira…, por pak nga pak u rrita, u pjeka dhe sot jam i rrethuar nga dashuria e tyre, e bashkëshortes dhe vajzave të mia. Faleminderit nga zemra Portugalisë, Spanjës, Anglisë, Francës dhe Italisë që më hapët dyert e vendeve tuaja! Përgjithmonë, Ángel”.

The post Di Maria, përshëndetja e fundit: Po kthehem në shtëpi, karriera ime në Europë ka përfunduar. Në 18 vite… appeared first on Telesport.