Murati: Kosova e përkushtuar ndaj reformave të Planit të Rritjes

 

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dje ka marrë pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Ky takim është fokusuar në diskutimet rreth Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Në njoftimin e ministrisë thuhet se Murati ishte pjesë e panelit të dytë “Zooming in the Growth Plan Pillars” së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore të Komisionit Evropian dhe ministrave për çështje evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e tij, Murati theksoi përkushtimin e Kosovës për zbatimin e reformave që parashihen me Planin e Rritjes, ku Kosova ishte ndër vendet e para që ka dorëzuar Agjendën e Reformave.

Tutje, ai përmendi se Kosova gjithashtu ka zbatuar hapat e paraparë për vitin 2024 dhe 2025 siç janë sistemi elektronik për menaxhimin e rasteve gjyqësore, sistemi i votimit elektronik në Kuvend dhe nisja e projektit më të madh të energjisë së ripërtërishme, atij për parkun me erë me kapacitet prej 100 MW.

“Ministri Murati përshëndeti propozimin e Komisionit Evropian për “Single Market Highway”, një iniciativë që do të lidhë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor me tregun e Bashkimit Evropian duke theksuar gatishmërinë e Kosovës për të bërë harmonizimin rregullativ të nevojshëm si dhe për të vazhduar me zbatimin e reformave dhe politikave konkrete drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, njofton Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

The post Murati: Kosova e përkushtuar ndaj reformave të Planit të Rritjes appeared first on Kosovapost.net.