Një natë e gjatë, e nxehtë dhe me lagështi ajo e së hënës. E errët. Në Karolinën e Veriut u mbyll përfundimisht sezoni 2024-2025 i Interit. Shumëkush do të thotë “më në fund”, pas 63 ndeshjesh që kanë lodhur, stresuar dhe tronditur një grup futbollistësh, i cili gjatë dhe pas ndeshjes me Fluminense tregoi çarje të rrezikshme, që duhet të shërohet sa më parë.
Të martën ishte kthimi në Itali, me një fluturim që do të niset nga SHBA drejt Malpensës. Në vazhdim parashikohen rreth 20 ditë pushim, pastaj rifillimi i përgatitjeve për sezonin e ri, me datë fikse ende për t’u përcaktuar për “restart”.
Më shumë apo më pak, rifillimi do të jetë rreth 20 korrikut, me ritme të ndryshuara. Fillimisht puna do të rinisë për ata që janë të rinj, që nuk morën pjesë në Botërorin për Klube (të paktën ata që do të qëndrojnë tek Interi), pastaj pjesa tjetër e grupit.
Ka shumë punë për drejtuesit e klubit, më pas për Chivu, i cili në mënyrë të drejtë pret përforcime dhe qartësi. Marotta dhe Ausilio tashmë i kanë ofruar disa, por nuk mjaftojnë. Mbrojtja duhet rishikuar, mesfusha është e mbushur me dyshime dhe largime të mundshme, nga Çalhanoğlu te Frattesi.
Sulmi mbështetet kryesisht në shpatullat e kapitenit Lautaro, por duhet rindërtuar marrëdhënia me Thuram, ndërsa për Pio Espositon herët a vonë duhet të merret një vendim përfundimtar. Sigurisht, ka ardhur Bonny, por repartit më delikat dhe vendimtar i nevojiten përforcime të tjera, nëse ambiciet e klubit mbeten, jo vetëm në fjalë, ato të viteve të fundit.
Kapiteni ngriti njëfarë alarmi, pas eliminimit nag Kupa e Botës për Klube. Lautaro foli menjëherë pas ndeshjes dhe me deklaratën e tij i surprizoi ndoshta të gjithë. Sidomos Marottën, i cili u bashkua me fjalët e tij, por që sigurisht do të kishte preferuar të mos i dëgjonte. Megjithatë, sulmi i argjentinasit ishte i pritshëm, mjaftonin sytë e tij të ashpër për të kuptuar se diçka po ndodhte.
Fjalë të forta, është e pamundur të mendosh se ishin vetëm për Çalhanoğlu. Prandaj, këto 20 ditë pushimi bëhen më delikate pas një muaji që nuk kurseu zhgënjime të mëdha dhe kthesa si në filmat kolosalë të Hollivudit. Nuk është rastësi që vuajtjet sezonale të zikaltërve përfunduan pikërisht në ditën e triumfit të Inzaghit ndaj Manchester City të Guardiolës.
Ky është momenti për t’u parë të gjithë në sy, për të bërë një bilanc të së kaluarës, pa harruar gabimet, për t’u ringritur. Përndryshe, kjo natë e gjatë, e nxehtë dhe e errët e së hënës nuk do të ketë shërbyer për asgjë.
The post Interi, një natë e gjatë, e nxehtë dhe e errët për t’u parë në sy dhe për t’u ringritur. Përndryshe do të ketë probleme appeared first on Telesport.