Dy emra të rinj, por me potencial të dukshëm në muzikën shqiptare, Egli Tako dhe Sergio, kanë lansuar projektin e tyre të parë të përbashkët – këngën “Baby”.
Kjo këngë është punuar me kujdes në çdo detaj. Teksti dhe melodia mbajnë firmën e Ghulos, i cili ka krijuar një atmosferë muzikore që përçon emocione, por që ruan gjithashtu ritmin e lehtë dhe të kapshëm për dëgjuesit.
Producimi është realizuar nga SBS Entertainment – një studio e njohur, pjesë e së cilës është edhe vet artistja nga Shqipëria.

Në videoklip, Tako shkëlqen me një interpretim të ndjerë dhe një stil të veçantë vizual, që e dallon nga artistet e tjera të brezit të saj. Me një prezencë elegante, por njëkohësisht të fuqishme, ajo i jep këngës një dimension të veçantë.
Ndërsa Sergio sjell karizmën dhe energjinë e tij në skenë, duke plotësuar në mënyrë perfektë dinamiken e projektit.

Ky duet është më shumë se sa një eksperiment artistik – është një dëshmi e përpjekjeve të dy artistëve për të sjellë diçka të freskët, autentike dhe me identitet në skenën muzikore shqiptare.
Egli dhe Sergio tregojnë se janë artistë në zhvillim, por me një qasje profesionale ndaj punës së tyre dhe me ambicie për të lënë gjurmë.